Drejtori i Policisë së Kosovës Qalaj, pret në takim ambasadorin Amerikan Kosnett

Prishtinë | 28 Jan 2019 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka pritur në takim ambasadorin Amerikan në Kosovë, Phillip S. Kosnett.

Qalaj dhe Kosnett morën pjesë në ceremoninë e fillimit të projektit trajnues që realizohet nga Zyra e Programit për Asistencë Kundër Terrorizmit (ATA). Ky trajnim, në të cilin marrin pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Gjykata, ka për qëllim rritjen  e kapaciteteve për zbatues të ligjit në Kosovë, avancimin e zyrtarëve të PK-së në zhvillimin e aftësive teknike si dhe për të adresuar kërcënimet e lidhura me terrorizmin.

Me këtë rast ambasadori Amerikan tha se

“ambasada amerikane është krenare që po bashkëpunon në këtë trajnim dyditor, i cili ofron kornizën organizative të ligjeve dhe politikave për t’u marrë në konsideratë nga zyrtarët kur hetojnë apo gjykojnë terroristë. Kjo ngjarje është e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe për sigurinë sigurinë rajonale”.

Ndërkaq i pari i Policisë u shpreh se

“institucionet e Republikës së Kosovës ashtu si edhe qytetarët e saj, janë përcaktuar qartë për ndërtimin e një shoqërie demokratike në Republikën e Kosovës, ku respektimi i të drejtave të njeriut, të lirive fundamentale, gjithëpërfshirja dhe sundimi i ligjit janë të garantuara për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, apo të dallimeve të tjera dhe po ashtu potencoi se jemi të përcaktuar qartë në orientimin proevropian dhe synimin për integrimin në institucionet dhe organizatat euro-atlantike”

Qalaj shtoi se

“Policia e Kosovës është përkrahur në vazhdimësi nga institucionet relevante të SHBA-ve, falë ndihmës, shkëmbimit të përvojave dhe praktikave, si dhe përkrahjes së vazhdueshme nga SHBA-të, Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera vendore ka arritur të mbrojë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj nga aktet e terrorizmit, andaj për këtë ju jemi mirënjohës dhe falënderues SHBA-ve”.

Në frymën e kësaj, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive negative dhe krimit të organizuar në përgjithësi e veçanërisht në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, njofton Policia e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme