Drejtori i RTK-së e mohon se 100 punëtorë të këtij mediumi kanë paga më të larta se ministrat

Prishtinë | 17 Nën 2021 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Ngadhnjim Kastrati e ka cilësuar “absolutisht të pavërtetë” deklarimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, se në Transmetuesin Publik janë 100 punëtorë që marrin paga më të larta se të ministrave.

Kastrati ka thënë sot se ministri Murati është në dijeni se deklarata e tij nuk qëndron.

“Këtë e di shumë mirë edhe Ministri Murati. Buxheti për pagat mbetet po ai i njëjti i para tri viteve dhe si Kryetar i Komisionit paraprak i Financave, Ministri Murati është i njohur me këtë fakt”, tha sot Kastrati.

Ai akuzoi ministrin Murati për tentimin e degradimit të televizionit publik.

“Përpjekjet për ta sulmuar politikisht RTK-në nëpërmjet manipulimit me të vërtetat faktike është veprim i ulët, por i pakalueshëm”, tha shefi i RTK-së. “Vetë fakti se uljen e buxhetit për RTK-në mundohen ta argumentojnë me të dhëna të fabrikuara dëshmon se ky vendim është absolutisht i paarsyeshëm dhe i paarsyetuar”.

Kastrati, po ashtu tha se buxheti i RTK-së është më i ulëti krahasuar me mediumet publike në rajon.

Të ngjashme