Drejtori i spitalit të Vushtrrisë: Ka filluar transferimi i pacientëve me COVID-19 nga spitali i Mitrovicës

Prishtinë | 17 Kor 2020 | 12:00 | Nga Ekonomia Online

Me një vendim nga Shërbimi Spitalor Klinikë Universitarë të Kosovës (ShSKUK), Spitali i Përgjithshëm i Vushtrrisë “Sheikh Zayed”, nga sot është duke pranuar të gjithë pacientët e prekur ose të dyshuar me virusin COVID-19 edhe nga spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës, ”Dr.Sami Haxhibeqiri”.

Drejtori i spitalit të Vushtrrisë, Mursel Pllana ka thënë se për momentin janë duke i pranuar pacientët e prekur me COVID-19, nga spitali i Mitrovicës.

Pllana tha se në spitalin e Vushtrrisë janë dhjetë pacientë të shtruar me COVID-19, ndërsa numrin e saktë edhe të pacientëve që po transferohen nga spitali i Mitrovicës ende nuk e din, pasi pacientët janë duke iu nënshtruar kontrollit të mjekëve.

Sipas tij, të gjithë pacientët e Gjinekologjisë, Pediatrisë dhe Kirurgjisë të spitalit të Vushtrrisë nga sot do të marrin trajtime mjekësore në spitalin e Mitrovicës, raporton Telegrafi.

“Sot ka filluar transferimi i pacientëve prej Mitrovicës, në spitalin tonë. Si dhe kontrollet që janë me pacient të dyshimtë trajtohen këtu në spitalin tonë. Shërbimi i Gjinekologjisë, Pediatrisë dhe Kirurgjisë kanë shkuar në Mitrovicë. Për momentin kemi pas dhjetë pacient, tash është duke u mbushur dhe nga spitali i Mitrovicës. Doktorët janë duke bërë kontrollin e pacientëve dhe ende nuk e di numrit e saktë të të gjithë pacientëve”, ka thënë  ai.

I pyetur se si është gjendja e pacientëve të prekur me COVID-19, ai tha: “Të gjithë pacientët që i kemi për momentin në spital janë me oksigjeno-terapi. Janë kryesisht të moshave të shtyrë si dhe kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese”.

Ndryshe, ditë më parë ushtruesi i detyrës së ShSKUK-së, Valbon Krasniqi ka thënë se spitalin e Vushtrrisë do ta shndërrojnë në spitalin për trajtimin e pacientëve me COVID-19, ndërsa spitalin rajonal të Mitrovicës, për pacientët me sëmundje tjera.

“Spitali i Vushtrrisë do të shndërrohet komplet në spitalin për trajtimin me COVID-19. Pra qytetarët e Mitrovicës dhe Vushtrrisë do të trajtohen me COVID-19, në spitalin e Vushtrrisë. Ndërsa ata pacient që kanë nevojë për trajtime të tjera do të trajtohen në spitalin e Mitrovicës”, ka thënë Krasniqi. 

Të ngjashme