Drejtuesit e RTK-së kërkojnë kompletimin e Bordit dhe rritjen e buxhetit

Prishtinë | 27 Maj 2020 | 16:27 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës ka miratuar  raportin financiar tre mujor të RTK-së, Kuvendit të Kosovës dhe kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale për taksën vjetore, raporton Ekonomia Online.

Gjatë diskutimit të raportit të Radio Televizionit të Kosovës, pati debate të ashpra mes anëtarëve të Komisionit dhe drejtorit menaxhues të këtij televizioni, Ngadhnjim Kastrati.  Gjatë këtij diskutimi u shtruan nevoja urgjente e kompletimit të Bordit të RTK-së.  Shqetësim tjetër ishte edhe buxheti i këtij televizioni.

Kryesuesja e bordit të RTK-së,  Marijana Adamoviq Simiq, gjatë prezantimit të raportit tha se shqetësim kryesor mbetet kompletimi i Bordit të RTK-së. Sipas  saj shqetësim mbetet edhe buxheti i vogël.

 “Në nivel të konsultimeve,  në pamundësi të marrim ndonjë një vendim, dua të them se raporti financiar u është dërguar në formë elektronike anëtarëve të Bordit. Buxheti i parashikuar për 2020  ka shumë mangësi dhe mendoj që këto mangësi kanë mundur  të largohen dhe buxheti ka mundur të jetë shumë më i mirë. Zvogëlimi i buxhetit të  RTK-së nuk është potez që mund ta luftojë RTK-ja. Dëshiroj të apleoj të arrini të votoni për anëtarët e bordit që të kemi kontroll të plotë në  RTK dhe të jemi funksional gjë që për momentin nuk është e mundshme” , tha ajo.

Drejtori menaxhues  i RTK-së Ngadhnjim Kastrati  u ankua se buxheti është shumë i vogël dhe pjesa më e madhe e tij shkon në paga.

“Në fund të tetorit ne kemi dërguar një plan që ka qenë rreth 11.2 milionë euro, një buxhet me të njëjtat kërkesa, pjesa më e madhe shkon për paga. I kemi zvogëluar shpenzimet e mëditjeve drekave dhe darkave”, shtoi Kastrati

Duke folur për uljen e buxhetit të RTK-së, ai tha se meqë Bordi nuk është i kompletuar nuk ka ditur si të veprojë.

“Buxheti ka shkuar në Bord  dhe nuk ka arritur të votohet.  5 anëtarë të tjerë të bordit e kanë nënshkruar këtë raport dhe e kanë dërguar në Kuvend dhe Ministri të Financave. Me një vendim të qeverisë  i është ulur buxheti RTK-së  8.9 miljon euro. Nuk kam ditë çka të bëjmë, bordi nuk ka qenë funksional”, tha ai.

Kurse, Shkëlzen Hajdini, deputet i LDK-së e pyeti Kastratin se pse thotë se buxheti u shkon në paga kurse në raport ka edhe shpenzime tjera.

“Ju thoni se buxhetin e keni shpenzuar vetëm për paga kurse në raport keni edhe shpenzime për investime dhe mëditje. Duhet të analizoni se cilat janë ato shpenzime të cilat mund të mos i bëni?”, tha ai.

Ndërsa, Bedri Hamza i PDK-së tha se në gjithë punën e RTK-së pengesë mbetet funksionalizmi i Bordit dhe kërkoi që kjo çështje të trashet me urgjencë.

“Ne duke u bazuar në situatën që jemi ndodhë si komisin i kemi bë vendimi përr alokimin e mujit prill dhe maj, tash e kemi pranuar një raport që pjesa narrative dhe e numrave është raport analitik.

Situata e RTK-së e ka një historik të vet dhe ne duhet të kryejnë punën tonë. Moskompletimi i bordit është një pengesë në funksionimin e këtij mediumi publik, me urgjencë duhet të trajtohet kjo çështje, me qëllim të merren vendimet e duhura. Seri sa të adresohet mënyra e financimit të RTK gjithmonë ka me u konsideru nënkupton një lloj preisonj në institucion. Mënyra e financimit të rregullohet me ligj si dhe çështja e pronës përndryshe e kanë të vështirë edhe nëse kompletohen si bord”,  tha Hamza.

Deputetja Mimoza Kusari Lila tha se ka diskrepancë në pozita në RTK. “RTK-ja është duke u fundosur,  ka 994 puntorë. Raporti e tregon rritjen enorme të shpenzimeve. Qysh mundet RTK me i pas veç 17% reklama dhe ka 202 bashkëpunëtorë që i ndihmojnë me u fundosë”, tha ajo.

Ajo tha se në këtë raport është thënë shkruhet për paga të korrespodentëve 1 700 euro e diku 609 .

“Nuk besoj që ti Ngadhnjim mundesh me i përcjellë 1 mijë punëtorë. Ky institucion ka nevojë për një ndërhyrje menaxheriale”, tha ajo.

Ngadhnjim Kastrati u përplas me Kusarin-Lilën  duke i thënë se po mban fjalime dhe nuk po thotë asgjë.  “Kam menduar që je ekonomiste por asgjë nuk the çka deri tash. Mbajte fjalim” , i tha ai

Kusari i tha Kastratit  se është para deputetëve e jo në studio televizive dhe se duhet t’i mësojë rregullat se si raportohet para deputetëve.  

“Para se me të sjellë këtu duhet me t’i tregu rregullat se qysh raportohet para deputetëve,  nuk je në studio televizive. Nuk kam shpifur. Këto që i thash janë në bazë të raportit që ju e keni dorëzuar”, tha ajo.

Kryesusja Simiq tha se jo në gjithçka pajtohet me Kastratin.  “Shumicën e çështjeve pajtohem me ju, nuk e di si ka qenë para 2 viteve unë nuk dua të mendoj si drejtori. Buxheti është i pamjaftueshëm për atë që punohet në RTK”, tha ajo.

Shkëlzen Hajdini nga LDK- kërkoi që të ulen shpenzimet atu ku ka mundësi.  “Ju keni një buxhet 8 milionë euro. Shpenzimet që i keni bërë janë mbi 12 milion euro, periudhën e 4 ju nuk keni buxhet. Kërkoj nga ju të uleni të shihni çka mund të ulni nga shpenzimet e planifikuara”, shtoi ai.

Kastrati tha se nuk mund me vendos pasi nuk ka kompetenca. “Pajtohen me ty, por unë nuk mund të vendosi në momentin që kompletohet bordi dhe merr vendime e respektoj” , tha Kastrati.

Gazmend Abrashi i AAK-së  kërkoi që RTK të ristrukturohet si dhe të përgatitet një strategji e performancës.

“A keni ndonjë strategji të performancës? Sa i keni paraparë të hyrat e marketingut? Unë po shoh disabalanc. Ne duhet të bëjmë një plan të ristrukturimit të RTK-së?” Unë jam prej atyne që e ndrroj kanalin e RTK-së jo nga dëshira”, shtoi ai.

Ngadhnijm Kastrati tha se nuk është demokratike raportimi në Kuvend. “Raportimi në kuvend çdo 3 muaj është jashtë çdo praktike demokratike por kjo qeveri ka vendos”, tha ai. Për këtë u përgjigj  Hekuran Murati, i cili tha se ka vendosur Kuvendi.

“Nuk ka vendos qeveria ka vendos kuvendi ligji”, tha Murati.

Ngadhnjim Kastrati tha se nuk e ka obligim raportimin para anëtareve të komisionit.

“Kam ardhur sot këtu shkaku i punëtorëve se nuk e kam obligim me ardh”, tha ai.

Kryesuesi i komisionit Hekuran Murati tha se ka diskrepancë të madhe në pozita në RTK si dhe kërkoi të dijë që kur mund të kryhet auditimi në RTK.

“Ka diskrepanca të madha në pozita, situata organizative është kaotike. Keni vazhdimisht rënie në të hyrat e marketingut. Performanca është katastrofale tek të hyrat. Auditori na ka thënë se nuk keni lejuar me pas qasjen në auditim të RTK? Kur ka me pas qasje auditori në RTK?”, pyeti ai.  

Ngadhnjim Kastrati tha se auditori mund të shkojë në RTK- janë të gatshëm për auditim.

“Nuk e di çka paska ndodh se me auditimin,  ka ndodh vitin e kaluar.  Auditori mundet me ardh në RTK, kur të duan?”, tha ai.   

Hekuran Murati tha se planifikimi i shpenzimit për 3 mujorin e fundit mund të rishikohet .

Të ngjashme