Drejtuesit e Sindikatës së PK-së takuan kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj

Prishtinë | 07 Pri 2022 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, dhe nënkryetari Avdi Hoti, patën një takim pune në zyrën e kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

Gjatë takimit, drejtuesit e Sindikatës së PK-së e njoftuan Muharremajn rreth planprogramit të ri të punës që Kryesia e re e Sindikatës së PK-së është duke punuar në përmbushjen e obligimeve për mirëqenien e punonjësve në Policinë e Kosovës në veçanti për Sigurimin Shëndetësor, Jetësor dhe Shoqëror.

Gjithashtu në takim, u diskutua mbi sfidat e punonjësve të Policisë së Kosovës të cilët ballafaqohen çdo ditë e veçanërisht për punonjësit e Policisë së Kosovës në Komunën e Suharekës, thuhet në një komunikatë shtypi të lëshuar pas takimit.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Suharekës, Muharremaj, premtoi mbështetje të fuqishme për Policinë e Kosovës, në veçanti theksoi se është i gatshëm të ndihmojë zyrtarët policorë të komunës së Suharekës për mirëqenien e punonjësve të cilët kanë nevoja më urgjente.

Në fund, Zeqiri dhe Hoti falënderuan kryetarin Muharremaj për pritje dhe gatishmërinë për bashkëpunim që shprehu për Sindikatën dhe punonjësit e PK-së.

Të ngjashme