Drenicasit vazhdojnë të ndihmojnë të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 09:23 | Nga Ekonomia Online

Qytetarëve të Shqipërisë pas goditjes nga tërmeti fatal, përveç Policisë dhe Ushtrisë së Kosovës, iu dolën në ndihmë edhe drenicasit.

Tifogrupi Tigrat e Zi, pas një mobilizimi të organizuar mbrëmë në Drenas bashkë me qytetarë të kësaj komune, kanë grumbulluar ushqim dhe sasi të mëdha të elementeve të nevojshme për të ndihmuar shqiptarët e prekur nga tërmeti.

Siç bëhet e ditur pakot me ndihma tashmë veç kanë arritur në destinacionin e paraparë, ndërsa apelohet që edhe sot secili të kontribuojë për të ndihmuar në këtë situatë.

”Kemi nje kerkesë nga të gjithë bamiresit tanë që në zonat kryesore dhe rrethinë është ushqimi, të gjithë të cilët bashkangjiteni sot në inciativën tonë, luteni të na sjellni pako ushqimore”, thuhet në njoftimin e tifogrupit Tigrat e Zi.

Veç këtij aksioni në Drenas, edhe tifogrupi Shqiponjat e Zeza nga Skenderaj, bashkë me bamirës të shumtë kanë ofruar ndihma për banorët e Shqipërisë të cilët u prekën dhe ngelën në qiell të hapur si pasojë e dridhjes së fuqishme të tokës që nga mëngjesi i hershëm i së martës.

Të ngjashme