Driton Lajçi la zyrën për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja për t’u kthyer në Telekom

Prishtinë | 04 Nën 2020 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Javën e kaluar, Driton Lajçi ka ofruar dorëheqjen e tij nga Zyra për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Specialja. E për arsyen pse Lajçi dha dorëheqje nga kjo pozitë, janë deklaruar nga Ministria e Drejtësisë.

Në një përgjigje për Gazetën Express nga MD’ja kanë thënë se dorëheqja e tij është aprovuar para dy ditësh, meqenëse Lajçi nuk ka pasur pretendime për vazhdim të mandatit.

“Z. Driton Lajci ka ofruar dorëheqjen e tij me shkrim dhe e njëjta është aprovuar nga ana e Ministrit të Drejtësisë me datë 02.11.2020, duke pas parasysh se z. Lajci nuk ka pasur pretendime për vazhdim të mandatit të tij”, kanë deklaruar nga Ministria.

Ndërkohë, si asryetim për largimin nga kjo pozitë, thonë se Lajçi e ka paraqitur kthimin në punë në Telekomin e Kosovës, ku kishte qenë i punësuar që nga viti 2005.

“Në njoftimin e tij të dorëheqjes, z. Lajqi arsyetim e ka paraqitur kthimin në marrëdhënien e punës në Telekomin e Kosovës ku dhe ishte i punësuar që nga data 20.12.2005 dhe kishte të pezulluar përkohësisht të drejtat dhe detyrat nga marrëdhënia e punës”, thuhet në përgjigjet e MD’së drejtuar gazetës.

Lajçi ishte emëruar si Udhëheqës i Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, në nëntor të vitit 2018 me mandat dy vjeçar deri më datë 25.11.2020.

Zyra për mbrojtje juridike të të akuzuarve potencialë pranë gjykatës në Hagë, funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë së Qeverisë së Kosovës dhe është formuar në përputhje me Ligjin për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare për personat e akuzuar pranë Dhomave Speciale. 

Të ngjashme