Dugolli thotë se parashikimet për situatën në Veri janë të ekzagjeruara

Prishtinë | 16 Nën 2022 | 18:31 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli duke folur për sigurinë në veri dhe për zgjidhjen e çështjes së targave tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të mbizotërojë paqja dhe siguria në vend.

Sipas Dugollit, përshkallëzimi i situatës mund të vije vetëm në rast se Serbia insiston ta destabilizojë një pjesë të Kosovës dhe për këtë ai tha se Bashkësia Ndërkombëtare dhe aleatët e Kosovës, duhet t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë sepse siç tha ai, deri tash askush nuk e ka kundërshtuar këtë vendim të ligjshëm të Kosovës.

“Gjithmonë ne kemi qenë të interesuar që të zgjidhet çështja dhe të ketë paqe, por gjithashtu nuk mund të parashikojmë ndonjë situatë të paqenë, pa çka se dëgjojmë lloj lloj vlerësimesh e parashikimesh të rrezikshme do të ketë djegie, do të ketë atë…”, tha ai.

Dugolli në Tëvë1, i ka bërë thirrje partive politike, mediave e shoqërisë civile që të bëjnë thirrje për paqe stabilitet e ligjshmëri në vend, sepse sipas tij, vendimi i Kosovës për targat është vendim i drejtë dhe i ligjshëm.

Deputeti i Vetëvendosjes më tej tha se janë të ekzagjeruar parashikimet që po bëhen sa i përket datës 21 nëntor kur edhe pritet të hyj në fuqi faza e dytë, pra ajo e gjobitjes së pronarëve të makinave që nuk i kanë konvertuar targat ilegale  të lëshuara nga Serbia në ato RKS.

“Në shpërpushje të plotë me situatën aktuale që mbretëron por në njëfarë forme janë edhe të dëmshme për shkak se inkurajojnë grupe të caktuara kriminale që të zhvillojnë aktivitete në këtë fushë dhe në këtë drejtim. Prandaj unë thërras edhe politikanët edhe qytetarët, mediat e shoqërinë civile që të bëjnë thirrje për paqe mirëkuptim e stabilitet  dhe ligjshmëri dhe jo të parashikojnë data e orë të caktuara që do të ketë këtë e do të ketë atë”, tha Dugolli.

Tutje ai tha se e ka parasysh që ekzistojnë grupe të caktuara kriminale, por para se gjithash siç tha ai, ato janë grupe kriminale dhe sipas tij, shteti nuk duhet të duhej të nënshtrohej dhe përulej para tyre.

Të ngjashme