Dukolli u bëri thirrje punëdhënësve të ofrojnë siguri maksimale në vendet e punës

Prishtinë | 27 Pri 2018 | 14:26 | Nga

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, sot mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Siguri dhe Shëndetin në Punë, organizuar nga kompania ‘SharrCem’. Në fjalën e tij zëvendësministri Dukolli tha se kujdesi institucional për siguri dhe shëndet në punë, përveç që është obligim ligjor, mbi të gjitha është çështje humane, ngase kemi të bëjmë me ruajtjen e shëndetit dhe jetës së njeriut.

“Ofrimi i ambientit të sigurt dhe të shëndetshëm në vendet tona të punës, nënkupton, ruajtjen e jetës dhe shëndetit të vetë punëtorëve, punëdhënësve por edhe të të gjithë atyre që për ndonjë arsye apo tjetër kanë qasje në ambientet e punës”.

Dukolli ka nënvizuar se MPMS ka ndërmarr veprime të konsiderueshme në këtë drejtim. “Rrjedhimisht kemi harmonizuar legjislacionin nga kjo fushë me atë të BE-së, kemi ndërtuar trupat ekzekutive inspektuese dhe përtej saj çdo vit po ndërmarrim fushata vetëdijësuese, me qëllim që të informojmë palët për detyrimet që kanë në raport me aktet juridike të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë”.

Lidhur me masat konkrete në ruajtjen e shëndetit në punë, zëvendësministri Dukolli i njoftoi të pranishmit se Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Këshillin Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, i cili në kompetenca të veta ka jo vetëm konstatimin e gjendjes, por edhe hartimin e politikave për përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe përcjelljen në vazhdimësi të gjendjes së sigurisë dhe shëndetit në punë të të punësuarve.

Zëvendësministri Dukolli, i cili njëherësh është edhe kryetar i Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, u bëri thirrje të gjithë punëdhënësve që të krijojnë ambiente të sigurta pune, punëtoret të kujdesen për sigurinë e tyre dhe të tjerëve, e gjithsesi të përdorin pajisjet e duhura për siguri dhe mbrojtje në në punët e tyre specifike.

Po ashtu ai ka inkurajuar Inspektoratin e Punës që të vazhdojë me punën në bazë të dispozitave ligjore, që përmes inspektimeve në teren të mundësojnë zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi që rregullon të drejtat dhe detyrimet mbi marrëdhënien e punës, por edhe sigurinë dhe shëndetin në punë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme