Dumoshi: MKRS-ja me 15 projekte në Deçan

Prishtinë | 13 Gus 2020 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësi Halil Matoshi, dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, kanë vizituar sot Komunën e Deçanit, ku fillimisht u pritën në takim nga kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Në takimin e zhvilluar, Dumoshi e Ramosaj kanë biseduar për projektet e përbashkëta mes MKRS-së dhe Komunës, investimet që janë duke u zhvilluar dhe ato që janë në plan të realizohen këtë dhe vitin tjetër.

Konkretisht bëhet fjalë për 15 projekte në të cilat ministria është duke investuar në Komunën e Deçanit, në fushat e kulturës, trashëgimisë, rinisë dhe të sportit, si shtëpi të kulturës, biblioteka, 6 restaurime të kullave, qendrën rinore, sallën sportive e fushat e poligonet sportive.

Ministrja Dumoshi tha se në takim me kryetarin kanë biseduar edhe për turizmin kulturor. “Me kryetarin biseduam për turizmin kulturor. Kjo pjesë e ka një bukuri natyrore e cila gjithmonë është veçuar si atraksion dhe ku do të mund të investohet dhe ndërtohen pista skijimi me një gjatësi deri në 5 km”, tha mes tjerash ministrja, duke thënë se është një mundësi si për qeverinë por edhe investitorët e huaj të investojnë në këtë zonë me bukuri të mrekullueshme, ashtu që Kosova të bëhet pjesë e hartës së Botës për skijim për zhvillimin e garave ndërkombëtare.

Ndërsa kryetari Ramosaj e falënderoi ministren Dumoshi dhe stafin e MKRS-së për prezencën e saj në Deçan. Ai tha se projektet e përbashkëta të Komunës dhe ministrisë janë të dobishme dhe të rëndësisë së veçantë. Janë investime të cilat kanë me e bërë Deçanin me u dok ndryshe, deklaroi kryetari.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme