Duraku: Infermierët kryejnë punët që nuk u takojnë, pasi detyrohen nga shefat e tyre

Prishtinë | 04 Jan 2021 | 19:26 | Nga Ekonomia Online

Infermieri Enlirat Duraku, i cili për gati një muaj mbajti grevë urie, të dielën e ka ndërprerë atë, ndërsa në Express Intervistë, ai ka sqaruar arsyet e daljes nga greva.

Duraku ka thënë se ende nuk ka kryer ndonjë ekzaminim për të parë dëmet shëndetësore që i janë shkaktuar gjatë qëndrimit në grevë, ndërsa shton se probleme si “plogështia, kokëdhimbja, pagjumësia, janë kryesoret”.

Ai thotë se është injoruar totalisht nga politikanët, e se fjalët sipas tij, po i thonë vetëm për fushatë zgjedhore.

“Mosmbështetja do të thotë injorim total i një pune kolosale që ka bërë infermieri duke qëndruar deri në 8 orë pa bukë e ujë ditën e natën, me orar e pa orar. Neglizhimi i këtij lloji do të thotë se ata aspak nuk e vlerësojnë punën e infermierit. Ata dalin në televizion si kukulla, ndërsa infermieri e menaxhon pandeminë”, tha ai.

Ndërprerjen e grevës Duraku thotë se e bëri për shkak të mospërkrahjes institucionale ndaj infermierëve në vazhdimësi.

“E kam parë se fillimisht mospërkrahja institucionale dhe pasiviteti politik është kontinual, që është shumë me rëndësi. Kolegët e mi ose janë të kënaqur ose përfaqësuesit sindikalë kanë interesa të ndryshëm për të mos i prishur punë politikanëve”, tha ai.

Ka shtuar se nuk e ka pasur mbështetjen as të sindikatës për shëndetësi.

“Jo, nuk më ka mbështetur. Me bë këtë punë duhet të kesh guxim, mos me qenë i përlyer dhe mos me u frikësu”, ndërsa shton se në krahasim me mjekët, infermierët “janë diskriminuar me shtesat për rrezikshmëri”.

Duraku thotë se nuk kthehet prapa nga vendimi për dorëheqje nga vendi i punës si infermier, sepse, thotë ai, nuk mund të vazhdoj të kryej punë që nuk i takojnë një infermieri.

“E kam thënë dhe kjo do të ndodhë. Më nuk mund të duroj që infermieri të jetë higjienist, punëtor sigurimi, punëtor administrativ, bartës, të jetë shërbëtor për kafe. Ne jemi infermier”, tha ai.

I pyetur nëse këto punë i ka kryer, ai është përgjigjur se “këto kryhen në baza ditore”.

Edhe pse nuk përshkruhen në kontratat e punës, Duraku thotë se punë të tilla i detyrojnë t’i bëjnë krerët e tyre.

“Shefat e reparteve dhe drejtorët”, tha ai në përgjigje.

“Ka rast kur infermieri është detyruar ta kryejë punën e sigurimit fizik 12 orë tek dera. Mos të flasim për higjienë, për punë sanitare që i kryejnë çdo ditë”, ka shtuar Duraku./KTV

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme