Duriqi: Policia ka kërkuar burimin e informacionit – nuk është dashur as të mendojnë që ta bëjnë këtë

Prishtinë | 19 Pri 2021 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

Gazetari Visar Duriqi ka thënë se pas publikimit të lajmit tek gazeta Insajderi se qeveria ka humbur afatin e nënshkrimit të marrëveshjes për sjelljen e vaksinës kundër COVID-19, sipas tij kanë filluar sulmet ndaj tyre.

“Të premten pasdite kemi publikuar një informacion që qeveria aktuale e ka humbur afatin që të sjellë vaksinat Pfizer, pasi që afati ka qenë data 15 i këtij muaji dhe ky informacion është bazuar në dokumentacion, pastaj ka ndodhur konferenca e Ministrit Arben Vita i cili ka filluar sulmet dhe ka thënë dy herë që ky lajm është i pa vërtetë pa treguar cila pjesë është e pa vërtetë”, është shprehur Duriqi.

Tutje ai ka thënë se prokurorët kanë hapur rast që atë natë dhe pyetja që e kanë bërë policia sipas Duriqit ka qenë se kush është burimi i informacionit.

“Policët kanë zbarkuar në “Insajderi”, brutalisht kanë hapur dyert pasi që nuk kanë ditur as ziles që t’i bien, kanë bërë me ngulm pyetjen: Kush ua ka dhënë dokumentet? Ata as nuk është dashur që të guxojnë të mendojnë ta bëjnë këtë pyetje”, ka thënë Duriqi në InfoMagazine të Klan Kosovës.

Duriqi thotë se mediumi në të cilin ai punon do t’i publikojë të gjitha kontratat që ata do t’i kenë, ndërsa thotë se prokurorët po vazhdojnë që t’i servilosen pushtetit të Albin Kurtit.

“Ne do t’i publikojmë të gjitha kontratat që do t’i kemi, do ta bëjmë siç e kemi bërë në të kaluarën, ndërsa të njëjtit prokurorë që iu kanë servilosur pushteteve të kaluara, tani po i servilosen pushtetit të Albin Kurtit”.

Të ngjashme