Dy dekada nga rënia e 5 heronjve, Veseli e Haradinaj krenohen me veprimtarinë e tyre

Prishtinë | 06 Nën 2018 | 17:40 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e 20-vjetorit të rënies së heronjve dhe dëshmorëve të kombit, Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Imeri u mbajt akademi përkujtimore në të cilën morën pjesë presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli  e kryeministri Ramush Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se ndihet krenar që ka qenë bashkëluftëtar me këta heronj të cilët po përkujtohen sot.

Veseli tha se rënia e Tonit dhe Micit ndodhi në të njëjtën ditë dhe ranë bashkë ashtu siç kishin qenë gjatë tërë veprimtarisë së tyre.

Sipas Veselit, komuna e Rahovecit dhe tërë Kosova ndihet krenare me këta djem, raporton Ekonomia Online.

“Sot bëhen dy dekada nga rënia e 5 heronjve. Janë dy dekada të luftës çlirimtare të Kosovës. Janë vite të transformimit të Kosovës në shtet të pavarur dhe sovran dhe tani në procese integruese euroatlantike. Nëse ne bashkërisht kthehemi në momentet e rënies së këtyre heronjve, natyrisht që si qenie njerëzore dhe si luftëtarë e si veprimtarë mund të jemi të kënaqur me atë që është arritur”.

“Jam krenar që kam qenë bashkëluftëtar dhe i kam njohur Tonin edhe Micin që në fillet e para të luftës çlirimtare. Toni e Mici janë emblema të qytetit të Rahovecit, janë djemtë më të mirë që ka pasur Komuna e Rahovecit dhe Republika e Kosovës. Jemi krenarë me trimërinë dhe veprimtarinë e  tyre. Ata kanë qenë bashkë sa kanë qenë gjallë dhe në të njëjtën kohë kanë ra bashkë për liri. Ata vendosën mos ta lënë njëri-tjetrin, por të ballafaqohen deri në fund”.

Kryeministri Haradinaj tha se edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga rënia heroike e 5 heronjve, kujtimi për ta është ende i freskët, raporton EO.

“Edhe pse janë bërë 20 vjet nga rënia heroike e Xhelal Hajdës, Micit, Hamdiut, Bekteshit e Nezirit, megjithatë në mendjet tona, në zemrat tona kujtimi për këta bijtë dhe bashkëluftëtarë është i freskët. Kjo ngjarje i ka të veçantat e veta. Hajda ishte epror ushtarak me përvoja e me njohje paraprake për luftën. Ardhja e tij në Kosovë që në ditët e para ishte një përkrahje dhe një forcë dhe porosi që lufta  e popullit të Kosovës do të forcohet”.

“Mullaabazi ishte luftëtar i lindur, i kishte krejt ato kapacitete prej eprori. Edhe Bekteshi, edhe Hajrizi, Haliti e Imeri rrjedhshin prej familjeve patriotike dhe obligimin dhe përgjegjësinë për luftë e kishin në vetëdije. Ne sot e kemi të vështirë të sjellim krejt historinë e Tonit dhe Micit. Asnjëherë kur ka pasë detyra të vështira, beteja ushtarake nuk kanë mungu”.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se është krenar që Komuna e Rahovecit ka dëshmorë dhe heronj të tillë siç janë heronjtë të cilët po përkujtohen sot.

“Rahoveci ka shumë të dhëna për qëndresën e burrave të asaj ane duke paguar shtrenjtë këtë guxim”, tha Latifi.

“Populli i kësaj ane e në Drenicë nuk e ka ulur qafën para dhunueseve të lirisë”, tha ai.

“Pa luftën e UÇK-së, pa heroizmat e heronjve tanë, pa shembullin e tyre liria nuk do kishte këtë peshë dhe historia nuk do të kishte këtë vlerë që ka”, shtoi Latifi.

Djali i dëshmorit Selajdin Mullabazi, Ermali, tha se ndihet i nderuar që sot flet në emër të familjes Mullabazi.

“Në 20-vjetorin e tyre të rënies i kujtojmë dhe i çmojmë me krenarinë më të madhe në këtë grup, komandantët që morën mbi supet e tyre dhe bartën me të madhe për çlirimin e vendit”, tha ai.

“Pa gjakun e tyre nuk do të mund të ishim këtu ku jemi sot, fjalët janë të vogla për ta”, tha Mullabazi.

Në këtë akademi përkujtimore morën pjesë edhe familjarë të dëshmorëve dhe shumë personalitete të tjera.

Të ngjashme