Dy orë pauza e bukës në QKUK, shkaktohen radhë të njerëzve

Prishtinë | 27 Tet 2020 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Në Ambulantën Specialistike të QKUK-së nuk përfillen rregullat preventive kundër Cov19.

Kjo jo për shkak te padisiplinimit të pacientëve, të cilët sipas rregullave janë të pajisur me maska, por për shkak të arkës që nuk funksionon siç duhet.

Arkëtari në sportelin e Repartit të Mjekësisë Interne ka dalë në pauzë prej dy orësh, kanë treguar për Ekonomia Online, qytetarë që po prisnin të kryenin shërbime.

Personeli i pranimit nuk e dinë se kur ai kthehet, ndërkaq pacientët presin kot dhe nevrikosen pse nuk ka një zëvendësues që mund t’ua kryejë shërbimet, meqë nëpunësi i autorizuar për këtë çështje nuk është i disiplinuar në respektimin e detyrës që ka.

Si rezultat i kësaj, përkundër faktit se pacientët janë të pajisur me maska, ata detyrohen të grumbullohen pranë arkës, në pritje të arkëtarit që nuk i mjaftojnë dot as dy orë për pauzën e bukës. (a.b.)

Të ngjashme