Dy qytetarë të lënduar rëndë nga shpërthimi në Ferizaj do të dërgohen për shërim në Turqi, Slloveni ose Austri

Prishtinë | 07 Jan 2021 | 21:15 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Kaçanikut, Besim Ilazi ka konfirmuar se dy prej të lënduarve rëndë në shpërthimin që ndodhi dy ditë më parë në Ferizaj, vijnë nga kjo komunë dhe se të njëjtit do të dërgohen për trajtim në Turqi, Slloveni ose Austri.

Kështu ka deklaruar ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ku mes tjerash ka thënë se disa media dhe qytetarë po bëjnë propaganda dhe manipulime lidhur me rastin.

“Pas kontakteve të vazhdueshme që kisha me Ministrin e Shëndetësisë, drejtuesit në QKUK dhe me kryetarin e Komisionit për vlerësimin e pacientëve për trajtim jashtë shtetit, u njoftova se ata po vazhdojnë të trajtohen në Prishtinë, ndërsa pritet që të transferohen në Turki, Slloveni ose në Austri për trajtim të mëtejmë.”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Sot gjatë tërë ditës me kujdes të shtuar dhe me shqetësim kemi përcjellur situatën e krijuar rreth trajtimit të të lënduarve në Ferizaj, dy prej të cilëve janë nga komuna jonë. Shqetësim më të madh ndajmë sidomos me rastin e manipulimit nga ana e portaleve dhe qytetarëve të caktuar, ku edhe në këso situata gjejnë kohë për propaganda.
Pas kontakteve të vazhdueshme që kisha me Ministrin e Shëndetësisë, drejtuesit në QKUK dhe me kryetarin e Komisionit për vlerësimin e pacientëve për trajtim jashtë shtetit, u njoftova se ata po vazhdojnë të trajtohen në Prishtinë, ndërsa pritet që të transferohen në Turki, Slloveni ose në Austri për trajtim të mëtejmë. Dy nga pacientët e parë që shkuan sot për trajtim në Turki, gjithmonë sipas krerëve të QKUK-së kanë djegie afër 50 %, ndërsa dy nga komuna jonë kanë djegie nën 40 %. Pra rastet janë trajtuar sipas shkallës së djegies. Kurse edhe të tjerët së shpejti pritet të transferohen jashtë vendit, sapo të krijohen kushtet dhe kapacitetet nga ana e spitaleve aty, e jo në mungesë të mjeteve, ashtu edhe siç është aluduar.

Gjithashtu, gjatë ditës së sotshme, kam kontaktuar Dr. Lul Rakën si dhe kam marrë informacionet e duhura për dy qytetarët e komunës së Kaçanikut.

Ndërkohë, ju bëjmë me dije se në asnjë rast, nuk dëshirojmë të propagandojmë, e sidomos në rast të fatkeqësive me jetë njerëzish.
Duke ju bërë thirrje disa faqeve që mos të manipulojnë me familjarët e të lënduarve, të lutemi së bashku për shërimin e shpejtë të tyre. Mbesim në kontakt për çdo zhvillim të ri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme