Dy zyrtarë të Komunës së Istogut shoqërohen në polici për ndërtime të paligjshme

Prishtinë | 15 Kor 2021 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Departamentin Special i Policisë së Kosovës për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë është ka zhvilluar sot një aksion në tri komuna.

Dy zyrtarë të Komunës së Istogut janë shoqëruar në polici në kuadër të aksionit të sotëm të Prokurorisë lidhur me ndërtimet pa leje.

Prokurori Arben Hoti, i pyetur nga “Betimi për Drejtësi” lidhur me aksionin e sotëm, nuk ka dhënë informacione. Njëjtë nuk është përgjigjur as zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikqi.

Ndërkohë, Prokuroria e Pejës ka lëshuar në njoftim, ku sqaron se aksioni i sotëm ka të bëjë me ndërtimet e paligjshme.

Në njoftim është bërë e ditur se për këtë aksion janë angazhuar pesë prokurorë dhe kryeprokurori i Pejës.

“Prokuroria e Pejës, njofton opinioni publik se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, janë duke u kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog), me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme. Për këto veprime në teren  janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë”, njofton Prokuroria e Pejës.

Të ngjashme