Dyshohet se 21 vjeçari kishte shtënë me armë ditën e zgjedhjeve, pritet të dorëzohet në polici

Prishtinë | 19 Tet 2021 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka konfiskuar edhe një armë të zjarrit në Skenderaj, pasi dyshohet se një 21-vjeçar kishte shtënë me të mbrëmjen e së dielës në fshatin Qirez.

Kështu kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës përmes një komunikate për medie.

“Me datën 17 tetor 2021, rreth orës 20:33, është pranuar informata, për të shtëna me armë zjarri në fshatin Qirez. Policia me të pranuar informatën ka shkuar në vendngjarje ku ka gjetur dy gëzhoja, të cilat edhe janë konfiskuar si provë materiale”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, është bërë e ditur se armën e ka dorëzuar babi i 21-vjeçarit, ndërkaq i dyshuari ka mbetur të dorëzohet në polici.

“Njësia e hetimeve pas një pune operative hetimore kanë arritur ta identifikojnë kryerësin e veprës E.S., 21 vjeçar, ku me datën 19.10.2021 rreth orës 11:10, policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit në fjalë, ku është takuar prindi i tij i cili e ka dorëzuar armen, e cila dyshohet që është përdorur nga i dyshuari”, thuhet në komunikatë.

Policia si provë materiale ka konfiskuar një pistoletë me gas e llojit EKOL Special dhe një karikator të zbrazet.

“I dyshuari E.S., 21 vjeçar, Shtetas i Republikës së Kosovës, ka mbetur që në kohen më të shkurtër, të paraqitet në stacionin policor Skenderaj për procedura të mëtutjeshme, rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “ Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme