E harruan vajzën rome jashtë pllakës përkujtimore, Komuna zotohet se do të përmirësojë gabimin

Prishtinë | 03 Gus 2020 | 19:54 | Nga Ekonomia Online

Një pllakë përkujtimore e ngritur rreth 5 muaj më parë përkujton viktimat nga masakra në Tregun e gjelbër të Mitrovicës, e kryer nga forcat serbe 21 vjet më parë.

Në të janë gdhendur emrat e gjashtë të vrarëve, por jo edhe i një vogëlusheje të komunitetit rom. Mungesa e emrit të Elizabeta Hasanit, 5-vjeçare, ka ngjallur reagim nga aktivistë të shoqërisë civile.

Lexo Edhe:
“Mos më qëlloni ju lutem” – Publikohen pamje të reja nga rasti i George Floyd
Edhe pse kanë kaluar 21 vjet nga ky sulm, i mbijetuari Azem Beqiri tregon se në mesin e të vrarëve ishte edhe një vajzë, por që nuk kanë arritur ta identifikojnë se për kë bëhej fjalë.

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, tha se në pllakë figurojnë 6 të vrarë dhe 128 të plagosur dhe se këta emra qëndruan për 20 vjet edhe në pllakën e vjetër përkujtimore, e cila është zëvendësuar me të renë.

Megjithatë, Fondi për të drejtën Humanitare ka evidentuar vajzën Elizabeta Hasani si njërën prej viktimave të sulmit në tregun e Mitrovicës. Por, këto të dhëna nuk janë kërkuar asnjëherë nga Komuna e Mitrovicës.

“Unë nuk kam pasur fare informacione mbi ngritjen e kësaj pllake. Asnjëherë askush nuk na ka kontaktuar lidhur me këtë pllakë përkujtimore e as në lidhje me incidentin e datës 13.03.1999 në tregun e Mitrovicës”, ka thënë Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të drejtën Humanitare, raporton koha.

Ndërkohë, sipas përfaqësuesit të shoqërisë civile në Mitrovicë, Besart Peci, dokumentimi i krimeve dhe identifikimi i viktimave është proces i vështirë, por si shoqëri nuk guxohet të lejohet diskriminimi.

Nga Komuna e Mitrovicës kanë thënë se gabimi eventual, edhe pse siç pretendohet, pa fajin e Komunës dhe pa qëllim, do të përmirësohet pa asnjë hezitim. Komuna kritikoi edhe shoqërinë civile, duke thënë se as ata nuk mund t’i ikin përgjegjësisë për fshehje të faktit krejt këto vite, nëse kanë pasur në dispozicion emrat e të vrarëve.

Të ngjashme