E mitura denoncon në Polici prindërit për keqtrajtim, përfundon në strehimore në Prishtinë

Prishtinë | 13 Gus 2022 | 13:52 | Nga Ekonomia Online

Jo rrallëherë fëmijët i denoncojnë prindërit e tyre për keqtrajtim. Në shumicën e rasteve, viktima janë të miturit, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Një rast i tillë, dyshohet se ka ndodhur edhe dje në orët e para të mëngjesit në rrugën “Selim Hyseni” ku një 16-vjeçare raportoi se është keqtrajtuar nga prindërit e saj, në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se e mitura ka denoncuar rastin në polici, ku gjatë intervistimit ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti.

Sipas rrëfimit të saj, e mitura fillimisht kishte pasur një mosmarrëveshje me nënën e saj, e cila më pas kishte filluar ta sulmojë fizikisht.

E mitura po ashtu ka deklaruar se dhunë fizike dhe psiqike ka nga të dy prindërit. Viktima është intervistuar në prezencë të punëtorit social ku edhe pas dhënies së intervistës është dërguar në strehimore.

Në lidhje me këtë rast janë intervistuar edhe dy prindërit e të miturës si dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”, vepër kjo e sanksionuar në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sipas të cilit “Prindi, prindi adoptues, kujdestari apo personi tjetër që ushtron autoritet prindëror mbi fëmijën, i cili keqtrajton fëmijën e tillë duke përdorur masa fizike apo mendore ose shkel detyrimin e tij për përkujdesje dhe edukim të fëmijës, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.”

Të ngjashme