Edhe ish-Presidentja Atifete Jahjaga e ftuar në varrimin e Madeleine Albright

Prishtinë | 20 Pri 2022 | 18:22 | Nga Ekonomia Online

Përveç Presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, ftesë për të marrë pjesë në varrimin e ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, ka marrë edhe ish-Presidentja Atifete Jahjaga.

Pjesëmarrjen e Jahjagës në varrimin e Albright, e ka konfirmuar zyra e ish-Presidentes.

Ata i kanë thënë Gazetës Metro, se Presidentja Jahjagar ka marr ftese nga familja Albright për ceremoninë e varrimit.

“Ju informojmë se Presidentja ka marr ftese nga familja Albright për ceremoninë e varrimit”, thuhet në përgjigjen e ish-Presidentes Jahjaga.

Gjithashtu, dje u konfirmua për Metron se edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të udhëtojë për në Washington në varrimin e ish-Sekretares Albright. Edhe shefi i Qeverisë, Albin Kurti, ka marrë ftesë për pjesëmarrje në ceremoninë e varrimit.

Ceremonia e varrimit të ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright do të mbahet të mërkurën, më 27 prill, në Katedralen Kombëtare të Washingtonit.

Pjesëmarrja në ceremoni është e mundur vetëm me ftesa, ndërsa ajo do të transmetohet direkt në platforma digjitale.

Ndryshe, Mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright, ka vdekur më 23 mars në moshën 84-vjeçare.

Ajo vlerësohet për ndikimin e madh për të bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën për krimet që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.

Ajo ishte gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.

Familja e saj ka bërë të ditur se Albright ka vdekur shkaku i kancerit dhe se në momentet e fundit ishte e rrethuar me anëtarët e familjes.

Në nderim të mikës së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kishte shpallur 24 marsin ditë zie në Kosovë.

Të ngjashme