Edhe në një lokacion të dyshuar për varrezë masive në Serbi nuk u gjet asgjë

Prishtinë | 16 Qer 2017 | 20:20 | Nga

Pak ditë kanë mbetur deri të përfundojnë gërmimet në Kizhevak.

Prokurori i njëjtë që ishte në rastin e Rudnicës, që ndodhet pak kilometra nga këtu, pas dy vjet hetimesh, kishte iniciuar punën në këtë lokacion, saktësisht në fundin e vitit 2015.

Dyshimet ishin se një kamion me shqiptarë të vrarë, ishte zbrazur në hapësirat përreth asaj që ishte dikur Miniera e Kizhevakut, për të cilën bëhet e ditur se ka funksionuar të paktën deri në vitin 2002.

Dy kamionë të tjerë, sipas dëshmitarëve të prokurorisë serbe, ishin zbrazur në Rudnicë, ku në vitin 2013 ishin zbuluar mbetjet e 54 trupave, kryesisht nga masakra e Rrezallës së Skenderajt.

Por pas 138 ditë pune, dhe pas nxjerrjes së mbi 150 mijë kubikëve dhe, nuk është gjetur asgjë.

Katër ditë më parë, sipas prokurorit Dragoljub Stankovic, që nuk është deklaruar para kamerës, në këtë lokacion ka qëndruar edhe një dëshmitar, që ka dhënë indikacione për vendin, ku aktualisht po gërmohet.

Java e ardhshme, në mungesë të rezultateve, mund të jetë e fundit. Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, e vlerëson të rëndësishme faktin që në rast se nuk ka rezultate nga ky lokacion, do t’u hapte rrugë lokacioneve të tjera.

Të ngjashme