Eksperti i kriminologjisë: Si u vodhën dy zv/ministrat e Kosovës në Shqipëri

Prishtinë | 29 Qer 2021 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Profesor i kriminologjisë Ervin Karamuço tregoi për herë të parë në emisonin Shqip të Rudina Xhunga një ngjarje shokuese që ka ndodhur vjet në fillim gushti në Palasë.

Karamuço u shpreh se 6 vila ku në to ndodheshin edhe dy zëvendësministra nga Kosova, u vodhën gjatë natës nga një bandë ndërsa pushuesit ishin në gjumë. Ngjarja tregoi Karamuço u mbajt e fshehtë dhe sot pas një viti asnjë prej vjedhësve nuk është arrestuar edhe pse policia e di mirë se kush janë ata.

“Vjet në datën 1 dhe 2 gusht, ka qenë një bandë shumë e rrezikshme kriminale vjedhësish nga Palasa në Himarë. Janë vjedhur dy zëvendës ministra të Kosovës dhe brenda një nate janë vjedhur 6 vila. Mes tyre ishin edhe dy zëvendësministrat e Kosovës. Këto persona i kishin piketuar që ditën e parë në plazh të gjithë këta pushues. Familjarët, çfarë statusi shoqëror kishin, ku i linin portofolat, celularët dhe kishin krijuar një lloj profilizimi se sa para mund të kishin. Dhe e bënin këtë vjedhje në ditët e para të pushimit, sepse ata ende nuk kishin paguar paratë e hoteleve kështu mund të merrnin më shumë.

Kanë hyrë natën nëpër dhomë, ndërsa ata flinin gjumë. Kanë marrë çantat dhe kanë dalë. Një guxim i jashtëzakonshëm që mund të bëhet vetëm nëse ke konsumuar lëndë narkotike, sepse në gjendje normale nuk besoj që mund të ndodhë. E kanë bërë këtë në 6 vila. Në njërën prej tyre kam qenë edhe unë. Por unë zakonisht i mbyll dyert e dhomës dhe ndonëse ata kanë tentuar ta hapin, nuk kanë mundur.

Ndërsa në dhomat e tjera kanë hyrë nëpërmjet dritareve ndërsa pushuesit flinin gjumë. Po sikur njëri prej tyre të ngrihej, vjedhësit mund ta vrisnin. Mund të bëhej një masakër.

Në mëngjes është vënë alarmi dhe u kuptua që ngjarja ka ndodhur në të gjashta vilat. U thirr policia dhe tha: po, i njohim kush janë. Më tej treguan se para një viti i kishin arrestuar dhe Gjykata e Vlorës i ka liruar. Si profesor unë nuk identifikova asnjë shenjë gishtash, sepse ata kishin përdorur dorashka.

Ishin shumë specialistë, kishin qenë edhe në Greqi më parë. Nuk merrnin as celularë, apo lap-top sepse kishin frikë mos zbuloheshin. Por vetëm paratë. Vura re se kjo ngjarje kaloi shumë thjeshtë. Nuk u denoncua. Dhe pas një viti ata janë të gjithë në qarkullim dhe asnjëri prej tyre nuk është arrestuar. Thuhet që kjo bandë mund të ketë lidhje me policinë e Himarës. Sot pas një viti ata nuk janë zbuluar edhe pse policia e di se kush janë”, u shpreh Karamuço në Dritare TV.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme