Elida Ramadani-O’Connell raportoi gjatë luftës fshehurazi nga familja

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 19:54 | Nga Ekonomia Online

Elida Ramadani- O’Connell që punonte për Associated Press (AP) ishte një nga gazetarët e guximshëm që ka sfiduar të gjithë rreziqet dhe ka raportuar gjatë luftës në Kosovë.

Madje, ajo në një bashkëbisedim të Frontline Club në Prishtinë i realizuar në bashkëpunim me Info Magazine të Klan Kosovës ka treguar se një gjë të tillë e ka bërë fshehurazi nga familja.

“Unë nuk kam guxuar t’i tregoj familjes time. Familja ka menduar që unë po punoj në një organizatë joqeveritare dhe për tre vjet me radhë nuk e kanë ditur se çfarë jam duke bërë”.

“Kur jam kthyer në shtëpi dhe kemi parë lajmet e di se mami qëndronte para televizorit dhe fillonte të qajë derisa unë e dija që ato xhirime i kam bërë unë. Prej frikës ka qenë e pamundur t’i tregoj se çfarë kishim bërë”.

“E kanë marrë vesh gjashtë muaj pasi NATO ka ardhur këtu”.

Por, si ishte raporti dhe a kishte konkurrencë mes gazetarëve që raportonin nga lufta në Kosovë?

“Nuk jemi vetëm ne të dy. ‘Koha Ditore’ ka qenë një faktor shumë i madh, edhe pse shumica e redaktorëve dhe gazetarëve nuk kanë mundur të dalin prej redaksisë”.

“Ata kanë pasë korrespondentë në rajone dhe unë i jam drejtuar atyre më pas në terren”.

“Kemi punuar shumë bashkë. Edhe pse Associated Press dhe Reuters janë në konkurrencë, por në fund të ditës kur kemi shkuar në hotelin ‘Grand’ ne jemi ulur dhe fshehurazi kemi diskutuar se si të shkojmë deri në Obri, Oshlan ose kur shkon atje me kënd duhet të bisedojmë”.

“Për mua ka qenë me rëndësi që të ndajë informatat me gazetarët e tjerë, përpos xhirimeve”.

Ajo ka treguar edhe se çfarë impakti pati puna e gazetarëve në zhvillimet që pasuan më pas – bombardimet e NATO-s, çlirimi dhe Kosova e lirë.

“Çfarë kemi pasë ne fat në fatkeqësi është se prej vitit 1997 kemi pasë mundësi të punojmë me gazetarët më të mirë të botës”.

“Ka qenë Christiane Amanpour dhe krejt gazetarët e botës ne i kemi pasë në Kosovë”.

“Ne kemi mësuar shumë prej gazetarëve më të mirë të botë. Kjo ka qenë vlera më e madhe që ne kosovarët e kemi pasë në atë kohë”.

Ramadani-O’Connell ka rrëfyer edhe se si është dashur që t’i bindë redaktorët e saj që të dilte në terren, ndonëse një gjë e tillë kishte shumë rreziqe.

“Sfida më e madhe për mua, sidomos për Associated Press, ka qenë që unë t’i bind për çdo ditë që të na dërgojnë në terren. Associated Press për shkak të rrezikut nuk ka dëshiruar të na dërgojë në terren çdo ditë”.

“Ndonjëherë është dashur t’i gënjej ose t’i thoja se ishim të sigurt të shkonim deri kur është parë që në momentin që dilje prej Prishtinës ishe shumë i pasigurt – në mes të plumbave, granatave dhe minave”.

“Ka qenë pjesë e gazetarisë dhe unë e kam ndjerë që duhet ta tregoj të vërtetën. Jam krenare që kam qenë këtu dhe që kam pasë mundësi që të kontribuoj për të vërtetën”.

Të ngjashme