Emergjenca në QKUK jep detaje për gjendjen e të lënduarve nga shpërthimi në Ferizaj

Prishtinë | 05 Jan 2021 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Nga shpërthimi i një bombole gazi, në një qendër tregtare në Ferizaj, 31 persona kanë mbetur të lënduar prej të cilëve tre tashmë po trajtohen në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare.

Për gjendjen e pacientëve të lënduar ka folur për Telegrafin, drejtori i Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani.

Lenjani tha se tre nga pacientët tashmë janë duke u trajtuar në QKUK, e të cilët kanë djegie të shkallës së dytë.

Sipas tij, edhe pesë pacientë janë rrugës për në QKUK, ndërkaq edhe 12 të tjerë janë duke u trajtuar në Ferizaj.

“Janë tre pacientë të cilët i kemi pranuar dhe kanë djegie të shkallës së dytë, edhe pesë jemi duke i pritur, pra janë në ardhje, kurse 12 janë ende duke u trajtuar në Ferizaj. Për momentin vetëm mund të ju them se kanë djegie të shkallës së dytë”, tha shkurt Lenjani për Telegrafin.

Ndryshe, Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt ka konfirmuar për Telegrafin se nga shpërthimi që ka ndodhur sot janë lënduar 31 persona.

Major Qazim Reka ka thënë se bëhet fjalë për shpërthim të një bombole të gazit.

Ai ka shtuar nga 31 të lënduarit shtatë prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe janë dërguar për tretman në QKUK.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme