Ende nuk dihet kur nis ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë

Prishtinë | 16 Tet 2018 | 09:27 | Nga Ekonomia Online

Ishte tetori i viti 2012 kur ishte vënë themeli për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, nga presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga si dhe përfaqësues të institucioneve e të bashkësisë Islame.

E kur janë bërë më shumë se gjashtë vjet që nga hedhja e gur themelit për ndërtimin e kësaj xhamie, lokacioni i të cilës pritet të jetë në lagjen “Ulpiana” afër objektit të Telekomit të Kosovës, ende nuk dihet saktë se kur do të nisin punimet për ndërtimin e këtij objekti fetar.

Ndonëse Bashkësia Islame ende nuk ka marrë leje nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin  e kësaj xhamie, pastrimi i vendit tashmë është bërë, por ende nuk dihet se kur do të nisin këto punime.

E lidhur me këtë në një përgjigje për lajmi.net, zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, ka deklaruar se ende nuk kanë përfunduar proceduarat për fillimin e punimeve për ndërtimin e xhamisë.

Ai po ashtu ka thënë se pasi përfundimit të procedurave do të aplikojnë për leje në Komunën e Prishtinës.

“ Ende jemi në procedurë, akoma nuk ka diçka konkrete, është duke u parapërgatit terreni, është vendosur pllaka, është duke u pastruar vendi. Janë disa punë që duhet të rregullohen, siç është edhe çështja e rrymës, kanalizimit, gypat e ujësjellësit, nxehjes. Pasi të përfundojnë këto punë do të behët edhe rrethoja. Presim që të procedojmë edhe çështjen e aplikimin për leje në Komunën e Prishtinës”, ka thënë Sadriu për lajmi.net.

Ndërsa, zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë se BIK-u ende nuk ka aplikuar për leje në komunë për ndërtimin e kësaj xhamie.

“BIK ende nuk ka aplikuar për leje të ndërtimit. Kur te aplikojnë, shqyrtohet aplikacioni si në çdo rast tjetër”, ka thënë Tahiri.

Po ashtu Tahiri ka thënë se vitin e kaluar BIK-u kishte marr kushtet ndërtimore, prandaj ka të drejtë që të bëjë rrethimin e vendit ku do të kryhen punimet.

Por sipas tij nuk mund të fillojë ndërtimin e xhamisë pa marr leje nga Komuna e Prishtinës.

“BIK vitin e kaluar i ka marr kushtet ndërtimore. Me këtë rast, ka te drejte te beje rrethimin e vendpunishtes dhe pastrimin e saj. Mirëpo, asgjë me shumë se kaq”, ka thënë Tahiri.

Ndërtimit të kësaj xhamie i kishin paraprirë një varg protestash nga komuniteti mysliman, të cilit kishin kërkuar që ky objekt kulti të ndërtohet përballë Katedrales “Nënë Tereza” në oborrin e fakultetit Filologjik. Mirëpo pas konsultave ndërmjet kryetarit të Prishtinës dhe kryetrarit të Bashkësisë islame të Kosovës është arritur konsensus që xhamia të ndërtohet në lagjen Ulpiana.

Kjo xhami do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, ndërsa kostoja e saj vlerësohet të jetë prej 35 deri në 40 milionë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme