Ende nuk ka aplikime për pension nga viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Prishtinë | 25 Nën 2017 | 12:50 | Nga

Komisionit Qeveritar për pranimin dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, pret aplikimet e para nga gratë, viktima të kësaj dhune, për pensionet që u takojnë me ligjin e miratuar.

Minire Begaj, kryesuese e këtij Komisioni, tha për Radion Evropa e Lirë se priten aplikimet e para të grave në bazë të të dhënave që posedojnë nga shoqatat që merren me të drejtat e grave të dhunuara gjatë luftës. Sipas saj, pritet që ditët e ardhshme të ketë deri në njëmijë aplikime.

“Nuk janë paraqitur ende personat që do ta gëzojnë të drejtën e pensionit, pasi Komisioni Qeveritar duhet të dalë me një datë të caktuar. Por, janë miratuar vendimet në Qeveri dhe janë caktuar shuma prej 230 eurosh për person. Për vitin 2018, janë paraparë 1 milion euro për pensionet e kategorisë së grave të dhunuara gjatë luftës, derisa për vitin 2019 dhe 2020 nga 800 mijë euro”, tha Begaj.

Ndërkaq, Mirlinda Sada drejtoreshë e Shoqatës “Medica” nga Gjakova, shoqatë që ofron shërbime të nevojshme për gratë e dhunuara gjatë luftës tha për Radion Evropa e Lirë se është bërë punë e madhe në vetëdijesimin e grave që të tregojnë të vërtetën që u ka ndodhur në luftën e fundit në Kosovë, në mënyrë që të përfitojnë pensionet prej 230 eurosh që u takojnë me ligj.

“Në fillim ka qenë e vështirë të binden gratë për shkak të stigmës. Shumë nga to kanë marrëveshje me familjarët të mos e paraqesin çka i ka ndodhur, ndonëse gjendjen ekonomike e kanë të vështirë. Por, puna jonë me to, këshillimet grupore e individuale si dhe konfidencialiteti, ka bërë që gratë t’i bindim të aplikojnë. Ne i kemi të gatshme mbi 50 aplikacione dhe në momentin kur komisioni të fillojë punën, do t’i dorëzojmë”, bëri të ditur Sada.

Në anën tjetër, Minire Begaj tha se do të fillohet edhe me fushatë vetëdijësuese. Ajo beson se një fushatë e tillë është me interes të informimit të saktë të kësaj kategorie për të drejtat e tyre që të gëzojnë pensionin që u takon me ligj.

“Komisioni bën së pari njohjen e statusit të tyre, derisa më pas edhe do të gëzojnë pensionin që u takon me ligj. Në bazë të të dhënave që kemi nga shoqatat, mund t’i kemi deri në 1 mijë persona ditët e ardhshme”, theksoi Begaj.

Shumë gra, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, vazhdojnë të jetojnë në kushte mjaft të vështira ekonomike.

Njëra nga to është edhe Mimoza (emri origjinal i njohur për redaksinë), e cila thotë se nuk punon dhe nuk ka të ardhura, derisa shton se shtëpia ku jeton, nuk i plotëson as kushtet elementare për jetë.

“Unë kurrë në jetën time nuk e mbaj mend një ditë të mirë. Kam qenë fëmijë i vetëm në familje, dhe për prindërit e mi kam qenë gjithçka në jetë. Jam dhunuar nga pjesëtarët e forcave serbe, në vitin 1998. Prej atëherë jeta ime ka marrë një kthesë tjetër”.

“Me gjithë vështirësitë që i kam, vazhdoj të jetoj në kushte shumë të vështira ekonomike, pa të ardhura dhe në një shtëpi ku ende fle në dysheme. E gjithë dyshemeja është e mbuluar me dhe e baltë. Komuna disa herë më ka premtuar se do të më akomodojë diku, por kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë Mimoza.

Krerët e institucioneve tashmë kanë ftuar të gjitha viktimat e dhunës seksuale ta shfrytëzojnë të drejtën që ua ofron ligji, e njëkohësisht u kanë bërë thirrje familjeve të tyre të ofrojnë mbështetje.

Besohet se gjatë luftës në Kosovë kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimit seksual. Në mars të vitit 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore në mënyrë që personave të tillë t’iu rregullohet statusi. Së fundmi, Komisioni i Qeverisë për pranim dhe verifikim të statusit të viktimave të dhunës seksuale, ka njohur statusin e grave të dhunuara gjatë luftës dhe pritet që së shpejti ato të gëzojnë pensionin që u takon me ligj.

Të ngjashme