EPIK: Me këtë trend, Kosovës i duhen edhe 115 vjet për të arritur demokracinë e Sllovenisë

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Instituti EPIK tha se në raportin që dje publikoi Freedom House të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, kanë vazhduar trendin negativ të degradimit të kualitetit të demokracisë duke thënë se raporti nënvizon që zhvillimet e fundit në Kosovë dhe

Maqedoninë e Veriut kërcënojnë progresin e arritur deri më sot.

Sipas këtij instituti edhe pse ka progres të vazhdueshëm në demokraci, ai është shumë i ngadaltë.

“Dje, Freedom House publikoi raportin e radhës: “Vendet në Tranzicion 2020”. Raporti bënë rangimin e 29 vendeve mbi kriteret në vijim: qeverisja demokratike, procesi zgjedhor, shoqëria civile, liria e mediave, korrupsioni, korniza ligjore dhe pavarësia gjyqësore”.

“Sa i përket Kosovës, raporti njeh progresin inkremental, por të vazhdueshëm, të demokracisë në Kosovë. Njëkohësisht raporti konfirmon që Kosova është vend më demokracinë më të dobët në rajon. Në fakt, Kosova është vetëm 0.18 pikë larg kualifikimit si shoqëri me “Regjim Gjysmë-Konsoliduar Autoritar””.

“Në vitin 2010, Kosova ishte ranguar me 32 pikë, ndërsa në vitin 2020 ka marr 36 pikë. Me fjalë të tjera, me trendin e tanishëm të progresit, Kosovës do t’i duhen 30 vite për të arritur nivelin e demokracisë të Malit të Zi, ndërsa 115 vite për të arritur nivelin e demokracisë së Sllovenisë”.

EPIK thotë se raporti 2020 konfirmoi degradimin e vazhdueshëm demokratik në Ballkanin Perëndimor. Tani, Serbia dhe Mali i Zi nuk konsiderohen më demokracitë dhe iu kanë bashkangjitur vendeve të tjera të Ballkanit në kategorinë e vendeve me regjimet hibride me elemente të demokracisë dhe autoritarizmit”.

“Krahasuar me vitin 2010 të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës, kanë demokraci më të dobëta, përkundër avancimit në procesin integrues”.

“Raporti i radhës nga Freedom House konfirmon që demokracia në Kosovë mbetet larg vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, prandaj duhet të shërbejë si moment unifikimi të spektrit politik me qëllim të avancimit të demokracisë së Kosovës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme