EULEX për patrullimet në veri të Kosovës: Nuk kemi marrë përsipër përgjegjësi policore

Prishtinë | 18 Nën 2022 | 13:39 | Nga Ekonomia Online

Pas situatës së krijuar në veri të vendit ku pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb dhanë dorëheqje, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka dërguar trupa të reja atje, por ky mision nuk ka marrë përsipër përgjegjësi policore në veri të Kosovës.

Kështu thanë në një përgjigje dërguar Telegrafit nga zyra për Shtyp dhe Informim Publik të EULEX-it.

Sipas tyre, pas dorëheqjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës ekziston një vakum i sigurisë.

Në përgjigjen e tyre thuhet se EULEX-i mund ta plotësojë këtë vakum vetëm pjesërisht, por EULEX-i nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës.

“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk ka marrë përsipër përgjegjësi policore në Kosovën veriore. Për t’i monitoruar nga afër të gjitha zhvillimet të cilat mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë, Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it dhe Njësia Policore e Specializuar Rezervë i kanë shtuar në mënyrë të konsiderueshme patrullimet e tyre vëzhguese mobile në pjesën veriore të Kosovës në bashkërendim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Që nga data 16 nëntor, krahas shtimit të konsiderueshëm të patrullimeve vëzhguese mobile, zyrtarë nga Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it dhe Njësia Policore e Specializuar Rezervë janë duke kryer edhe patrullime në këmbë në komunat veriore”, thuhet në përgjigjen e tyre, shkruan Telegrafi.

Tutje nga kjo zyrë kanë thënë se EULEX-i po e monitoron situatën në pikë-kalimet e përbashkëta në Jarinjë dhe Bërnjak, përmes pranisë së Njësisë Policore të Specializuar të tij.

“Pjesëtarët e Njësisë Policore të Specializuar dhe të Njësisë Policore të Specializuar Rezervë punojnë me ndërrime dhe janë duke kryer patrullime vëzhgimi 24/7”.

Gjithashtu ata treguan se këshilltarët policorë të lartë të EULEX-it për veriun janë të vendosur në kompleksin e Drejtorisë së Policisë së Kosovës Rajoni Veri dhe janë duke dhënë këshilla për Drejtorinë e Policisë së Kosovës Rajoni Veri si dhe për katër stacionet policore nën komandën e saj në lidhje me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore.

Të ngjashme