Evropa dështoi të ndalë financimin rus në veri të Mitrovicës (Dokument)

Prishtinë | 07 Qer 2017 | 15:58 | Nga

Integrimi i veriut është njëra nga sfidat kryesore të shtetit të Kosovës. Shqiptarët në atë pjesë vazhdojnë të jetojnë me frikën e sulmeve të serbëve, të cilët ende nuk e njohin realitetin e ri në Kosovë.

Shumica e serbëve që e mbajnë situatën e tensionuar në veri, janë ardhacak dhe të financuar nga shteti serb, por edhe ai rus. Në fakt shteti i Rusisë kishte financuar e përkrahur edhe serbët e njohur si rojet e urës, të cilët mitrovicasit i kanë parë shpesh në afërsi të barrikadave, struktura këto që ende nuk janë shuar.

Në disa dokumente sekrete të siguruara nga Gazeta Intro, thuhet se në vitin 2011 një sasi e madhe e ndihmave humanitare nga Rusia është lejuar që të futet në Kosovë, nëpërmjet Jarinjes.

Destinacion për shkarkimin e ndihmave që po barteshin në 25 kamionë, ishte qyteti i Mitrovicës. Ndonëse zyrtarët e Eulexit fillimisht ishin munduar të pengonin futjen e këtyre mallrave, ata e kishin humbur betejën më 16 Dhjetor të vitit 2011, pas një marrëveshje të arritur në samitin Rusisë me BE-në.

Vendimit për lejimin e ndihmës, në dokument thuhet se i kishte parapri një revoltë e serbëve të veriut, të cilët kishin refuzuar të linin personelin e misionit të BE-së të ofrohen tek barrikadat, duke kërcënuar zyrtarët që në atë kohë po tentonin të kalonin në veri me pesë makina.

Për tre ditë rresht, EULEX-i e kishte bllokuar konvojin në pikën kufitare në Jarinje, por më pas ishte dorëzuar në betejën kundër investimeve ruse në veriun e Kosovës. Tutje në dokument thuhet se ndihma përfshinë edhe një ikonë e dërguar për serbët e Kosovës, e cila ishte dhuratë nga kryeministri rus Vladimir Putin.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme