Falet Fitër Bajrami në Prishtinë, Tërnava bën thirrje për angazhim për të mirën e përbashkët

Prishtinë | 15 Qer 2018 | 06:44 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Besimtarët myslimanë në Kosovë dhe në mbarë botën festojnë sot festën e Fitër Bajramit. Kjo festë vjen pas Muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit myslimanë anembanë botës agjerojnë në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit, raporton Ekonomia Online.

Në Kosovë, manifestimi kryesor është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmet Fati”. Manifestimi nisi në ora 04:10, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit është mbajtur ligjerata tematike kushtuar kësaj feste nga drejtori i Medresesë, Jakup Çunaku. Derisa namazi i Fitër Bajramit është falur në ora 05:34.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, duke dhënë mesazhin e tij ka thënë se njerëzit të jenë të bashkuar.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve dhe qytetarëve që të organizohen për të mirën e përbashkët sepse vetëm kështu sipas tij mund të realizohen qëllimet shoqërore dhe shtetërore.

“Ju thërras të gjithëve, popull dhe institucione, që të marrin shkas festat tona fetare dhe kombëtare për t’u angazhuar për interesin shoqëror të vendit, për të mirën e përbashkët, duke shfrytëzuar momente sikur këto, bashkimi drejt qëllimeve fisnike bëhet më i lehtë dhe më i fortë. Kështu mund të marshojmë drejt qëllimeve tona shoqërore dhe shtetërore. Ramazani na ka mësuar të përmbahemi mbi epshet, përmbajtja ndaj provokimeve fizike është vlerë e ramazanit. Festat janë momente për të prezantuar vlerat e vërteta të fesë tonë para botës. Festat janë momente përkujtimi, ramazani është jetë e njeriut në miniaturë”, ka thënë Tërnava.

Ai ka shtuar festat si Fitër Bajrami janë momente për të prezantuar vlerat të verteta të fesë tonë para botës. Sipas tij festat në Islam janë momente reflektimi, rikthimi në vlera të vërteta dhe humane.

Tërnava theksoi se njerëzit mund të bëhen më të mirë kur të kuptojnë se nuk janë krijuar për vete, por për të ndihmuar të tjerët.

“Festa e besimtarit nuk dallon vetëm nga motivet por edhe nga mënyra e festimit. Gëzimi ynë sot nuk duhet të degjenerojë në shthurje, festa nënkupton kthim por jo në mekate, manifesohet në kthimin e gjendjes para ramazanit sepse na lejohen pijet dhe ushqimi. Festat në Islam janë momente reflektimi, rikthimi në vlera të vërteta dhe humane. Shoqëria është sikur trupi, një pjesë nuk mund të festojë nëse pjesa tjetër rënkon. Ne do të bëhemi më të mirë kur të kuptojmë se nuk jemi krijuar për vetë por për të tjerët dhe kur punojmë për të jetësuar këtë. Qëllimi i vërtetë është bashkimi i zemrave”, thënë Tërnava.

Tërnava ka folur për 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që u shënua para pak ditësh, për të cilën tha ishte themel i kombit mbi të  cilin janë ngritur shteti i Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai tha se edhe në festën e Fitër Bajramit kujtojnë prijësit e Lidhjes së Prizrenit, të cilët sipas tij i treguan botës se shqiptarët nuk pranojnë coptimin e trojeve të tyre. Tërnava theksoi se mbajtja e kësaj Lidhjeje në xhami dëshmon lidhjen e fesë me atdheun.

“Para pesë ditësh festuam 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit në të cilën u vënë themelet e shtetit shqiptar. Edhe në këtë ditë të Bajramit i kujtojmë prijësit e Lidhjes që në kushte të pafavorshme arritën të organizojnë Lidhjen për t’i bërë të ditur botës se shqiptarët nuk pranojnë marrëveshje që copton trojet shqiptare. Më meritori ishte Ymer Prizreni, bashkë me Sylejman Vokshin. Kuvendi i Lidhjes është themel i kombit mbi të cilin janë ngritur shtetet tona. Mbajtja e saj në xhami flet për lidhjen e fesë me vatanin”.

Pas faljes së sabahut, në ligjeratën tematike kushtuar kësaj feste, drejtori i Medresesë, Jakup Çunaku, ndër të tjera ka lutur Zotin që besimtarëve myslimanë t’u pranojë agjërimin e muajit të ramazanit.

“Lus Allahun që adhurimet gjatë muajit të ramazanit të na pranoj. Lus Allahun të na bëjë prej atyre që kontribuojnë me punë të mira”.

Mesazhe urimi dërguan edhe qytetarët pas faljes së namazit të Fitër Bajramit. Ata kanë bërë thirrje që njerëzit të jetojnë në paqe dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin.

Kjo festë pason muajin e Ramazanit, i cili filloi më 16 maj dhe u përmbyll më 15 qershor. Traditë në festën e Fitër Bajramit janë vizitat nëpër familje mes të afërmve dhe miqve.

Të ngjashme