Falet Fitër Bajrami – Tërnava: E dhimbshme ky namaz pa xhemat

Prishtinë | 24 Maj 2020 | 06:36 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ceremonia e faljes së Namazit të Fitër Bajramit është mbajtur në Xhaminë e madhe në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Në prezencë të një rrethi të ngushtë të zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

Si asnjëherë më parë për faljen e Namazit të Bajramit xhamitë kanë qenë zbrazura nga njerëzit, si pasojë e pandemisë COVID-19.

Me këtë rast, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka thënë se falja e këtij namazi të Bajramit është ndryshe sepse sipas tij është hera e parë që falet pa praninë e xhematit.

“Sot jam para jush me ndjenja të përziera si asnjëherë më parë ngase është hera e parë që po ju drejtohem pa xhemat. Megjithatë sot besimtarët myslimanë kanë arsye të ndihen të gëzuar sepse festojnë njërën prej festave më të rëndësishme në Islam. Agjërimi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit është themeltarë në besimin Islam. Përmes këtij ibadeti që në vete përmban sakrificën – manifestohet besimi”.

“Pas kryerjes së këtij ibadeti, besimtari ka arsye që të ndjehet i lumtur dhe i gëzuar. Ka arsye që të festojë me familjarët sepse ka kryer një urdhër të Allahut”.

Ai ka theksuar se agjërimi i sivjetmë ka qenë i ndryshëm për dallim nga vitet tjera.

“Qe një kohë par shkak të pandemisë [Covid-19] jemi detyruar që të jemi të izoluar në shtëpitë tona. Të gjitha këto vendime jo të lehta janë marrë në të mirë të shëndetit publik sepse këtë e kemi edhe obligim në fenë tonë. Është urdhër nga Zoti i cili na drejtohet duke thënë ‘Assesi mos u futni jetën tuaj në rrezik’. Unë e kuptoj ndjesinë e besimtarëve që sot nuk janë në xhami për ta falur Bajramin. Ky realitet paraqet një ndjesi jo të këndshme, por është domosdoshmëri për shëndetin publik”, ka thënë ai raporton EO.

Për arsye të njëjta, pra për shkak të pandemisë, myftiu i Kosovës ka anuluar edhe pritjen tradicionale të Fitër Bajramit.

Të ngjashme