Falsifikimi i Jurisprudencës së Lumezit – reagojnë Prokurorët e Kosovës

Prishtinë | 31 Tet 2017 | 15:43 | Nga

Bordi drejtues i Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, ka mbajtur sot takim lidhur me pretendimet e shfaqura ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, se provimi i Jurisprudencës i Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi është i falsifikuar.

Ndërkaq pas këtij takimi kjo shoqatë ka dal me një komunikatë në të cilin thuhet se sistemi prokurorial i Kosovës në përgjithësi, e në veçanti kryeprokurori i shtetit, kohën e fundit janë përballur para presioneve dhe sulmeve ndaj punës së tyre, me qëllim të degradimit, ndikimit dhe shantazhimit për të penguar rezultatet e mira të punë, njofton Klan Kosova.

Për më shumë ja reagimi i tyre i plotë:

”Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, vlerëson se sistemi prokurorial i Kosovës në përgjithësi, e në veçanti kryeprokurori i shtetit, kohën e fundit janë përballur para presioneve dhe sulmeve ndaj punës së tyre, me qëllim të degradimit, ndikimit dhe shantazhimit për të penguar rezultatet e mira të punës, të treguara në drejtim të luftës së pakompromis, kundër të gjithë atyre që bien ndesh me rendin dhe ligjin pa marrë parasysh funksionin dhe ndikimin që kanë apo kanë pasur në shoqëri.

Çdo tendencë për të zbehur dhe zmbrapsur punën e Prokurorëve të Shtetit e sidomos rasti i fundit, kur cenohet integriteti i të parit të sistemit të akuzës, me hulumtime të përgatitura dhe të fabrikuara është tërësisht e papranueshme, e rrezikshme dhe tendencioze, me synim që të krijojnë pasiguri dhe besim, jo vetëm për prokurorët, por edhe për tërë sistemin juridik të Kosovës.

Andaj, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, kërkon nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare t’i dalin në mbrojtje institucionit të Prokurorit të Shtetit, sepse vetëm kjo gjë tregon gatishmëri dhe vullnet, për të mbështetur punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit, në luftën e përditshme kundër krimit në Kosovë.

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës i bën me dije të gjithë atyre që po tentojnë të manipulojnë opinionin publik, se asnjë presion, shantazh apo ndikim e as ky i fundit, nuk do ta ndalë punën e prokurorëve, për ta luftuar krimin dhe grupet që e mbështesin atë.

Përkundrazi rasti i fundit do të na mobilizojë edhe më shumë në misionin tonë, për rend dhe ligj dhe njerith Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, i jep mbështetje të plotë Kryeprokurorit të Shtetit, në punën e tij të suksesshme”, njofton Klan Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme