Falsifikoi patentë shoferin e shtetit hungarez dhe ia shiti punëtorit të tij, gjilanasi del para gjykatës

Prishtinë | 11 Jan 2022 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

I akuzuari E.D, e ka pranuar fajësinë se në vitin 2018, kishte falsifikuar një patentë shofer të shtetit hungarez, të cilin më pastaj ia kishte shitur punëtorit të tij.

Po ashtu, në këtë seancë, R.M ka pranuar se këtë dokument e ka blerë për 1 mijë e 600 euro nga Duraj, dhe më pastaj me të kishte aplikuar dhe ishte pajisur me patentë shofer të Republikës së Kosovës.

Këtë pranim të fajësisë, dy të akuzuarit e kanë bërë në seancën fillestare të së martës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi prokurorja Huma Jetishi ua lexoi aktakuzës atyre, ata e pranuan fajësinë për veprën penale me të cilat ngarkoheshin.

“E pranoj fajësinë, nuk e kom ditë që oshte i falsifikum se ky zotnia më ka garantu, amo unë me to kam vozitë, e pranoj”, ka deklaruar i akuzuari.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit E.D, avokati Selmon Sadiku, ka kërkuar nga gjykata që ndaj të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një dënim më i butë, duke thënë se ai është penduar për veprimin e  tij dhe në të ardhmen nuk do të përsërisë vepra të tilla penale.

Kurse, i akuzuari E.D deklaroi: “E pranojë fajësinë, unë për veti e kom bo qasi dhe jam dënu për këtë punë”.

Shpalljen e aktgjykimit gjykatësi Sadri Krasniqi, ka thënë se do ta bëjë të enjten e kësaj jave.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 10 nëntor 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj R.M, me arsyetimin se më 5 tetor 2018, në qendrën komunale për pajisjen me patentë shofer në Kamenicë, ai ka vu në lajthim organin zyrtar kompetent për ta vërtetuar një çështje të pavërtetë, ashtu që ai në këtë qendër së bashku me dokumentacionin tjetër përcjellës ka dorëzuar patentë shoferin e falsifikuar të datës 22 qershor 2017, e lëshuar kinse nga organet e autorizuara hungareze.

Sipas prokurorisë, R.M më 21 maj 2018, është pajisur me patentë shofer të Republikës së Kosovës, ndërsa më vonë është vërtetuar se ai me patentë shoferin hungarez ishte pajisur pa iu nënshtruar procedurave ligjore por të njëjtin e ka blerë nga i akuzuari tjetër E.D për 1 mijë e 600 euro.

Me këtë, R.M akuzohet se ka kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 395 paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme prej tre muaj deri në pesë vjet burgim.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, E.D akuzohet se gjatë vitit 2018, në kohë të papërcaktuar në Kamenicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për personin tjetër, me dashje ka falsifikuar dokumentin zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se, E.D përmes një personi tjetër nga Republika e Serbisë ka hartuar-përpiluar patentë shoferin hungarez për kategorinë “B1” dhe “B2” në emër të punëtorit të tij R.M, dhe këtë dokument si origjinal në vitin 2018 ia ka dorëzuar Maliqit, i cili më pastaj këtë dokument e ka dorëzuar në qendrën komunale dhe pastaj është pajisur me patentë shoferë të Republikës së Kosovës.

Me këtë, E.D akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390 paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme