Familjarët e viktimave të luftës për dënimin e Zmajeviqit: Mirëpresim vendimin e drejtësisë malazeze

Prishtinë | 05 Qer 2019 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Familjarët e viktimave të luftës nga fshati Zhegër dhe Dunav i Gjilanit, përmes një njoftimi për media komentuan dënimin që mori sot Vlado Zmajeviq për krime luftë në Kosovë. Ai u dënua me 14 vjet burg nga Gjykata e Lartë në Mal të Zi.

Familjarët e viktimave të luftës thonë se edhe pse nuk janë të kënaqur me lartësinë e dënimit, mirëpresin vendimin e drejtësisë malazeze, për të cilin thonë se edhe pse vendim i vonuar, është lajm i mirë.

“Pavarësisht që nuk jemi të kënaqur më lartësinë e dënimit, ne si familjar të viktimave mirëpresim këtë vendim të drejtësisë malazeze, i cili ndonëse i vonuar, është një lajm i mirë dhe sadisfaksion për ne”, thuhet në njoftim.

Vlado Zmajeviq u gjet fajtor për veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”, nga neni 142, paragrafi 1, i Kodit Penal të ish Republikës Federative të Jugosllavisë.

Njoftimi thotë se ai u gjet fajtor pasi që u vërtetua se më 30.03.1999,në fshatin Zhegër, i kishte privuar nga jeta qytetarët Milazim Idrizi, Qamile Haziri, Qazim Haziri, ndërsa në fshatin Dunav, e kishte vrarë Imer Kadriun.

 “Kërkojmë që të gjithë ata që kanë kryer krime lufte në Kosovë, të vihen para përgjegjësisë penale, pasi që vetëm në këtë mënyrë, eshtrat e viktimave do të prehen të qetë.  Paqja e plotë do të jetë e mundur vetëm, kur të arrihet drejtësia për viktimat e luftës”, thotë njoftimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme