Familjarët presin që rasti i vëllezërve Bytyqi të diskutohet në takimin Hoti-Vuçiq

Prishtinë | 31 Gus 2020 | 11:11 | Nga Ekonomia Online

Familjarë të vëllezërve të vrarë Bytyqi presin që në takimin e Uashingtonit midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të diskutohet mënyra për zgjidhjen e rastit të vrasjes së Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqit.

“Një president që kryeson një takim midis Kosovës dhe Serbisë… është vërtet historike”, thuhet në një deklaratë dërguar mediave nga Fatos dhe Ilir Bytyqi, vëllezërit e tre të vrarëve.

“Duke i përfaqësuar amerikanët që janë viktimizuar jashtë vendit, presidenti Trump duhet ta ngrejë çështjen e vëllezërit Bytyqi”, thanë ata.

Hoti dhe Vuçiq takohen në Uashington më 4 shtator.

Pjesëmarrja në takim e presidentit Trump nuk është konfirmuar, por një mundësi të tillë e ka përmendur Vuçiq.

Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyqi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.

Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.

Një rezolutë e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara, në tetor të vitit të kaluar, u referohet fakteve për përfshirje në vrasje edhe të ish-zëvendësministrit të Brendshëm të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, dhe të ish-komandantit të xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq Guri.

Në deklaratën e vëllezërve Bytyqi thuhet se ata e mbështesin një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë që do t’i çonte dy vendet drejt paqes së qëndrueshme.

Por, shtojnë ata, përparimi i tillë mund të arrihet vetëm duke i adresuar të gjitha çështjet e vështira, përfshirë rastin e vëllezërve Bytyqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme