FAO dhe MBPZhR trajnojnë gazetarët për raportimin në pylltari

Prishtinë | 09 Dhj 2021 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Programi për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, financuar nga Suedia, zbatuar nga FAO, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), po mban trajnim për gazetarët e mediave në Kosovë lidhur me raportimin në pylltari.

Qëllimi kryesor i këtij trajnimi është të përgatisë gazetarët për të ofruar artikuj të saktë, të besueshëm dhe me interes për publikun mbi sektorin pyjor dhe aspektet e pylltarisë, duke përmirësuar kështu cilësinë e mbulimit të këtij sektori strategjik për zhvillimin e Kosovës. 

Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny në fjalimin e saj përshëndetës, theksoi mbështetjen që po ofron shteti i saj për përmirësimin e gjendjes së pyjeve si dhe rolin e madh që kanë mediat në formësimin e opinionin publik për zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve. Ajo inkurajoi gazetarët që ta prioritiziojnë këtë sektor në raportimet e tyre dhe të shfrytëzojnë ekspertizën e ekipit të FAO-s në programin e pylltarisë për të marrë informacione gjatë punës së tyre.

Edhe koordinatorja për zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson nënvizoi rëndësinë e informimit më të madh të publikut për gjendjen e pyjeve dhe dëmeve po u shkaktohen atyre. Në këtë kuadër, ajo kërkoi nga mediat që të kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në ruajtjen e resursove të mëdha pyjore që ka Kosova.

Zëdhënësja e MBPZHR-së, Flutur Mustafa foli për përpjekjet e Ministrisë për përmirësimin e gjendjes në pylltari, përmes hartimit të Strategjisë së re për pylltari 2021-2030, Ligjit të ri për Pyllltari dhe akteve tjera nënligjore. Të gjitha këto dokumente po hartohen më mbështetjen e programit të mbështetur nga Suedia dhe zbatuar nga FAO, për çka znj. Mustafa falenderoi Ambasadën e Suedisë dhe FAO-n. Ajo kërkoi nga gazetarët që të raportojnë për prerjet ilegale të pyjeve dhe transportin e paligjshëm të tyre, teksa shprehu gatishmërinë e MBPZHR-së për të dhënë informacione rreth këtyre dukurive.

Në trajnim, zyrtarët e MBPZHR-së dhe Agjencisë Pyjore të Kosovës shpjeguan para gazetarëve se rreth 45% e territorit është e mbuluar me pyje, prej të cilave 62% janë në pronësi shtetërore dhe 38% në pronësi publike. Këto pyje luajnë rol të rëndësishëm në aspektin ekonomik, mjedisor dhe social. Ndër sfidat më të mëdha u vlerësuan prerja e paligjshme e pyjeve, mosndëshkimi i prerësve ilegal, buxheti shumë i ultë për sektorin e pylltarisë, mungesa e investimeve në infrastrukturën pyjore si dhe mungesa e kapaciteteve të komunave për të menaxhuar me pyjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme