FDHK publikon raportin vjetor: “Gjykimet për krimet e luftës: përparim i ngadaltë”

Prishtinë | 27 Pri 2021 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) ka publikuar të hënën, me datën 26 prill 2021, raportin për vitin 2020: “Gjykimet për krimet e luftës: përparim i ngadaltë”, i cili është përpiluar si rezultat i monitorimit të gjykimeve lidhur me konfliktin e armatosur, si dhe me veprat penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë. Me rastin e këtij publikimi, FDHK organizoi konferencën online ku u zhvillua debati mbi temë “Zvogëlimi i hapësirës për mosndeshkueshmëri: Dialogu si mundësi per bashkëpunim juridik ne mes te Serbisë dhe Kosovës”.

Fjalët hyrëse në konferencë u paraqitën nga ministrja e drejtësisë, Znj. Albulena Haxhiu, shefi i zyrës së BE ne Kosovë, Z. Tomáš Szunyog dhe ambasadori Britanik në Kosovë, Z. Nicholas Abbott.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ministria që ajo udhëheqë do ta ketë prioritet adresimin e krimeve të luftës. Në këtë kuadër ajo u shpreh se është shume e rëndësishme që të fuqizohet kapaciteti i Prokurorisë Speciale për adresimin e këtyre krimeve. Shefi i Zyrës së BE- së në Kosovë, Tomáš Szunyog tha se BE-ja e ka mbështetur ketë proces tash e sa kohë dhe se monitorimi i këtyre seancave ka rëndësi fundamentale për të siguaruar legjitimitetin e tyre. Ai shtoi se falë raportit vjetor të FDHK, tashmë ekziston një përmbledhje e saktë të asaj se çfarë ka arritur sistemi i drejtësisë gjate vitit 2020. Ambasadorit Britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, potencoi se është vërejtur një rritje e numrit të prokurorëve që merren me këto raste dhe ky është një progres, por ende mbetet shumë per t’u bërë.

Pas fjalëve hyrëse, raporti u prezantua nga Znj. Anka Kurteshi Hajdari, e cila është edhe autore e tij. Ajo, ndër te tjera, ka theksuar se një nga rekomandimet kryesore qe përmban raporti më ri i FDHK konsiston në domosdoshmërinë e vendosjes së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar mes Kosovës dhe Serbisë.

Në sesionin e titulluar “Zvogëlimi i hapësirës për mosndeshkueshmëri: Dialogu si mundësi per bashkëpunim juridik ne mes te Serbisë dhe Kosovës” pikëpamjet e tyre i paraqitën panelistët: kryeprokuror i PSRK Blerim Isufaj, U.D kryetarit të Gjykatës Themelore Prishtine, Arben Hoti, shef i Zyrës Ligjore dhe te Drejtave te Njeriut në EULEX Paul Flynn, themeluesja e FDH Nataša Kandić dhe avokati Artan Qerkini. Përfaqësuesit e gjyqësorit Kosovar në këtë panel përmendën sfidat me të cilat po ballafaqohen në procedimin e lëndëve për krime lufte, ndërsa panelistët tjerë ofruan shembuj të bashkëpunimit në të kaluarën dhe ide për një mundësi të bashkëpunimit rajonal në të ardhmen.

Të ngjashme