“Fëmijët, prioriteti më i rëndësishëm i agjendës qeverisëse”

Prishtinë | 15 Maj 2018 | 14:42 | Nga

“Fëmijët janë prioriteti më i rëndësishëm i agjendës qeverisëse, andaj ne po punojmë për sigurimin e një mjedisi me edukim të mirëfilltë, mbrojtës dhe pa dhunë për të gjithë fëmijët e Kosovës, pa dallim”, kështu tha kryeministri, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me drejtoreshën regjionale të UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore dhe Koordinatore Speciale për Refugjatët dhe Migrantët në Evropë, Afshan Khan, e cila në këtë takim shoqërohej edhe nga Brandão Có, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju, zëvendës shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë dhe Agron Gashi, zyrtar i lartë i UNICEF-it.

Duke folur për përkushtimin dhe punën e qeverisë në realizimin e të drejtave të fëmijëve, planeve strategjike për shëndetin e nënave dhe fëmijëve dhe programin e vaksinimit, në bashkëpunim edhe me Zyrën për Qeverisje të Mirë, kryeministri Haradinaj, theksoi se edukimi dhe mbrojtja e fëmijëve është investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen tonë, mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik e social në përgjithësi.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj falënderoi UNICEF-in, për përkrahjen e vazhdueshme në adresimin dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, përmes strategjive për të drejtat e fëmijëve, angazhimin në programet edukuese dhe shprehu mbështetjen e qeverisë për një edukim sa më cilësor, përforcimin e programeve të kujdesit shëndetësor primarë dhe programeve për rininë.

Drejtoresha regjionale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore dhe Koordinatore Speciale për Refugjatët dhe Migrantët në Evropë, Afshan Khan, e njoftoi kryeministrin Haradinaj për punën e UNICEF-it në edukim dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme