Ferizaj: Arrestohet eprori i policisë i dyshuar për fajde

Prishtinë | 16 Shk 2021 | 19:38 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës e kanë arrestuar sot në Ferizaj, një zyrtar të lartë të policisë në Drejtorinë Rajonale në Ferizaj.

I dyshuari ka gradën e kapitenit, dhe është punonjës në këtë drejtori.

Arrestimi i tij është bërë pas një pune nga ana e Departamentit të Hetimeve në kuadër të IPK-së.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka arrestuar sot në orët e pasdites një zyrtar policor me gradën e kapitenit (punonjës në Drejtorinë Rajonale në Ferizaj) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të fajdes”.

“Arrestimi i tij është bërë në flagrancë sot në orët e pasdites nga hetuesit e IPK-së në Ferizaj pas një hetimi të përbashkët me zyrtarët e Drejtorisë të Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës”.

“Hetimi i përbashkët lidhur me këtë rast kishte filluar rreth një vit më parë kurse si të dyshuar janë të përfshirë edhe disa qytetarë. Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj hetuesit e IPK-së janë duke realizuar një kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në Ferizaj ku në cilësi të provave janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave të gatshme”.

“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të Procedurës Penale”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme