Festa mes kujtimesh e Saranda Bogujevcit

Prishtinë | 31 Dhj 2020 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Saranda Bogujevci dhimbjen e humbjes së 14 familjarëve dhe 16 plumbave në trup e ktheu në zë të fuqishëm për ta marrë drejtësinë për padrejtësinë më të madhe që ndodhi në fundshekullin e kaluar.

Viti i Ri i 1999-ës ishte i fundit për Sarandën me familjen e saj të kompletuar. Por, e mira e asaj nate dhe të tjerave të mëhershme ishte se u dokumentua e gjithë festa e familjes Bogujevci.

Videokasetat e netëve festive i shërbyen Sarandës dhe pjesës tjetër të familjes që të mos heqin dorë nga tradita familjare që ishte krijuar për festën e motmoteve.

Rutina e një dite të paraluftës është edhe e memorizuar thellë në kujtesën e Sarandës dhe pa hezitim ajo e rrëfeu atë në një intervistë ekskluzive për portalin klankosova.tv.

“Çdo mëngjes unë dhe vëllai im Shpendi, i cili ka qenë vetëm një vit me i vogël se unë, zgjoheshim gjithë të parët dhe shikonim programet e mëngjesit për fëmijë. Nëna gjithë na dëgjonte dhe shkonte drejt në kuzhinë për të na përgatitë diçka për mëngjes. Ngadalë zgjohej edhe Shpëtimi, më i vogli i familjes me babin. I kam dashur shumë këto mëngjeset e fëmijërisë”.

Pas shkatërrimit të shtëpisë së fëmijërisë nga forcat serbe, Saranda gjeti një të re në shtetin që ia shëroi plagët – Angli.

Ndonëse thotë se mungesa e Podujevës në fillim ishte e dhimbshme, Manchesteri u njëjtësua me të.

Në këto dy shtëpi, Saranda në kohë të lirë lexon libra të rekomanduar edhe nga koleget e saj të Vetëvendosjes, sikur të fundit që e ka në dorë e që ia ka huazuar Arbërie Nagavci.

Për shefin e saj të partisë, Albin Kurtin, Saranda tregoi edhe një anë të tij pak të njohur nga publiku.

Ish-kryeministri është njeri shumë modest dhe ka një humor të mirë të stilit britanik, sipas Sarandës, ndonëse në fillim kishte njëfarë ndrojtje ndaj tij.

Intervista e plotë:

Si ishte një festë e Vitit të Ri në familjen Bogujevci para luftës dhe pas saj?

Saranda Bogujevci: Çdo vit prej se e mbaj mend, kemi festuar vitin e ri në familje. Ka qenë një ceremoni, duke filluar nga dekorimi i dhomës së ndejës deri tek dekorimi i bredhit. Por nuk ka qenë vetëm dekorim, kjo ka qenë ceremoni në vete. Kemi vallëzuar, gjithherë ka pas këngë gjatë kësaj feste dhe ka qenë traditë e familjes që të dokumentojnë çdo pjesë të fëmijërisë sonë, derisa po rriteshim. Kemi pas videokaseta deri në natën e vitit të ri në vitin 1999. Këtë traditë e kemi vazhduar me baballarët tanë edhe mbas luftës, edhe me pjesën tjetër të familjes. Nata e Vitit të Ri ka qenë një ritual i familjes sonë që e kemi përcjellë për çdo vit, ka qenë koha kur të gjithë kemi qenë bashkë dhe kemi festuar dhe për pjesën që kemi mbetur pas luftës ka qenë e rëndësishme ta mbajmë këtë pjesë të traditës sonë si familje dhe ende e vazhdojmë edhe sot.

Cili është kujtimi më i bukur që ke me nënën dhe dy vëllezërit?

Saranda Bogujevci: Kam shumë kujtime edhe me nënën edhe me vëllezërit edhe pse kam pas një kohë të shkurtër te fëmijërisë sime me ta. Një ndër kujtimet që më vjen ndërmend tani është se si për çdo mëngjes unë dhe vëllai im Shpendi, i cili ka qenë vetëm një vit me i vogël se unë, zgjoheshim gjithë të parët dhe shikonim programet e mëngjesit për fëmijë. Nëna gjithë na dëgjonte dhe shkonte drejt në kuzhinë për të na përgatitë diçka për mëngjes, ngadalë zgjohej edhe Shpëtimi, më i vogli i familjes me babin. I kam dashur shumë këto mëngjeset e fëmijërisë, kemi pasë edhe njëfarë rituali të ngjashëm para se të shkonim për të fjetur, ku ose nëna ose babai na ushqenin dhe njëri apo tjetri na bënte gati për të fjetur, natyrisht që ky proces ka qenë i mbushur me plot të qeshura e energji të tre fëmijëve të vegjël.

A të mungoi Podujeva në Angli dhe a të mungon Anglia tani në Kosovë?

Saranda Bogujevci: Po, më mungonte Podujeva shumë sa isha ne Angli, por edhe Mançesteri tani. Që të dy vendet më japin ndjenjën e qetësisë dhe rahatisë së shtëpisë sime. Që të dy vendet më kanë bërë personi që jam sot dhe kudo që të jem në botë shtëpia për mua gjithëherë do të mbetet Podujeva dhe Mançesteri.

A çaj rusi në Llap a çaj pasditeje në Manchester?

Saranda Bogujevci: Tash janë bërë pjesë e jetës sime që të dyja. Unë pi edhe ‘çaj rusi’ në pasdite në Mançester, por edhe çaj të zi me qumësht në mëngjes në Prishtinë. Është interesant pasi që të dy çajrat kanë përbërjen e njëjtë, vijnë po nga i njëjti vend, influenca e mënyrës se si pihet nga i njëjti kontinent, por prapë se prapë në një forme apo tjetër janë dy kultura e histori të ndryshme. Pastaj kemi historinë interesante se si ka mbërritur çaj i zi tek ne dhe pse quhet ‘çaj rusi’.

Keni ardhur nga Anglia për t’u bërë politikane në Kosovë. Cili është ndryshimi që doni ta shihni në politikëbërjen e Kosovës?

Saranda Bogujevci: Në fakt kam ardhë në Kosovë për të kontribuar për vend dhe nuk ka qenë qëllimi im që të kyçem në politikë. Rrugëtimi im në politikë ka qenë shumë spontan. Sa i përket ndryshimit në politikë, kisha pasë qejf ta shoh një ndryshim në kulturën e politikëbërjes tek ne, primar të jetë vendi, para interesit personal e partiak. Në çdo vend ka politikëbërje të vrazhdë, por në shumë vende ekziston një pikë doze e dinjitetit politik dhe patriotizmit ndaj vendit dhe historisë së vet. Gjithashtu, për të ndryshuar kultura e politikëbërjes në Kosovë duhet edhe të ndryshojë kultura e mënyrës se si votohet tek ne, edhe pse kjo tashmë po ndodhë. Ne si votues duhet të votojmë për ata njerëz që pajtohemi me programin e tyre, që kanë synim të ndryshojnë gjëra për qytetarët kolektivisht, e jo për grupe të interesit dhe nuk duhet të votojmë pse njihemi me ta, se i kemi familjarë, apo për shkak të kaluarës se tyre, si në rastin tim. Duhet të votojmë ata persona vetëm në momentin kur mendojmë se i kanë shërbyer qytetarit, vendit dhe janë të përgatitur në fusha të caktuara dhe kanë dinjitet e respekt.

A do ta shohim Sarandën me pozitë ekzekutive në rast se Vetëvendosje merr pushtetin?

Saranda Bogujevci: Pak rëndësi ka kjo. Në momentin që unë kërkoj votën e qytetarit, prioritet është që t’i shërbej qytetarit në mënyrën më të mirë të mundshme, nuk ka të bëjë me pozitën, ka të bëjë me detyrën që kemi si të zgjedhur të popullit. Çdo pozitë, qoftë si deputet, qoftë përbrenda qeverisë apo edhe në nivel lokal, nuk duhet të shihet si privilegj, por si përgjegjësi dhe obligim për të shërbyer.

Çka lexon Saranda? Autori i preferuar?

Saranda Bogujevci: Nuk kam një apo dy autorë të preferuar, janë disa dhe lista vazhdon të zgjerohet me autorë të rinj. Tani jam duke lexuar “Tri bijat e Evës” nga Elif Shafak (te cilën më ka huazuar nënkryetarja Arbërie Nagavci) dhe “Outside the Asylum” nga Lynne Jones. Më parë kam lexuar “Everything I know about love” nga Dolly Alderton dhe dua të sugjeroj një titull edhe pse e kam lexuar para një kohe, por është libër i jashtëzakonshëm dhe mund të gjendet në Kosovë, “Why I’m No Longer Talk To White People About Race” nga Reni Eddo-Lodge. Dhe përveç leximit për qejf, tani jam duke lexuar më shumë rreth drejtësisë tranzicionale dhe shkrime rreth ligjeve dhe proceseve ndërkombëtare me theks krimet kundër njerëzimit, krime të luftës e të tjera.

Si është si shef Albin Kurti dhe si është si shok?

Saranda Bogujevci: Albini është njëri ndër njerëzit më modest. Natyrisht që para se ta njohësh, dituria e tij dhe qëndrimi që ka paksa të kompleksojnë, por në momentin që të bie që të kesh ndonjë muhabet me të, gjithçka ndryshon. Mendoj se ka humor pak të stilit britanik. Është shumë njerëzor dhe shumë përkrahës.Njëra ndër elementet që më së shumti më ka lënë përshtypje është se merr kohën dhe mundin për të dëgjuar, për të i marrë këshillat apo propozimet që ke dhe nuk e ka problem për të kërkuar këshillë apo mendim nga ti, sidomos kur e di për njohuritë dhe përvojën që ke rreth një fushe të caktuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme