Fetahu: Do të ofrojmë shërbime cilësore shëndetësore, qytetarët s’do kenë nevojë të blejnë gjëra elementare

Prishtinë | 25 Nën 2020 | 17:27 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në një tubim në Podujevë bashkë me disa nga qytetarët që janë vetë-shëruar nga Covid-19 dhe nuk janë ndihmuar nga kjo komunë, kandidati i PDK-së, Naim Fetahu, tha se në mandatin e tij qytetarët do të kenë shërbime cilësore në spital dhe qendra familjare, raporton Ekonomia Online.

“Në kuadër të programit tim për Shëndetësi në komunën e Podujevës kemi parapa të rrisim nivelin e kapaciteteve shëndetësore, të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët të funksionalizojmë qendrën e mjekësisë familjare, pa pasur nevojë që qytetarët të blejnë edhe gjërat elementare. Pra ne do t’i pajisim qendrat e mjekësisë familjare me të gjitha pajisjet e nevojshme me qëllim që qytetarët tonë t’i marrin shërbimet e nevojshme”, tha Fetahu.

“Do t’i ngrisim kapacitetet tona edhe në qendrat në Orllan, Lluzhan, do t’i bëjmë që të punojmë me dy ndërrime qendrat familjare në atë pjesë dhe në të njëjtën kohë unë ju premtoj se me mbështetje nga niveli qendror do ta bëjmë ne spitalin realitet, i cili është premtuar s’di sa herë brenda 20 vjet por s’ka bërë asgjë Qeveria lokale”, tha tutje kandidati i PDK-së në Podujevë.

Ndërsa, sekretari i PDK-së, Uran Ismajli, tha se LDK është duke e përdorur vetëm për qëllime të fushatës ndërtimin e një spitali në Podujevë.

“Tregues më i madh i shërbimeve shëndetësore sesa dëshmia e pacientit është një kambanë për m’i zgju gjithë ke që nëse shërbimet shëndetësore nuk janë të rregulluara atëherë vet jeta e qytetarit nuk është e rregulluar. Këtu patëm dëshmi mjaftë te vështira, i shpreh ngushëllime ndaj atyre që kanë humbur jetën prej Covid gjithkund në krejt republikën e Kosovës, por ajo që na brengosë është se qytetarët tanë mbesin të ngujuar për javë të tëra dhe nuk i gjendet as Qeveria po në këtë rast as edhe Komuna e Podujevës qytetarëve te vet, kjo tregon çfarë kulture e qeverisjes ekziston në Komunën e Podujevës”, tha Ismajli.

“Është e ngutshme që ta themi një orë me parë të largohet një qeverisje e tillë që ka fare pak respekt ndaj qytetarëve dhe ka një neglizhencë të madhe në trajtimin e tyre. Spitali i Podujevës është përdorë sa herë i është dashtë LDK-së për zgjedhje edhe sot kanë me përdorë sa herë t’ju vyejnë për zgjedhje, si të përfundojnë zgjedhjet s’kanë me ndertu ashtu siç nuk e kanë ndërtu deri tash. Në qoftë se Naimi që ne besojmë se qytetarët do ta zgjedhin më të mirin sepse është më i miri, atëherë do të këtë një impuls të ri, një energji të re, dhe jam i bindur qe pa e përfunduar mandatin e vet ky do ta gëzojë një spital në Podujevë që nuk ka nevojë te ketë njohësi partiake, krejt çka i vyen qytetarit është më shku me marr shërbimin si një qytetarë i Podujevës”, tha Ismajli.

Të ngjashme