Fillojnë punimet për zgjerimin e rrugës Dollc-Gjakovë, cilësohet projekti më i madh në historinë e Gjakovës

Gjakovë | 15 Mar 2019 | 11:37 | Nga Emine Shehu

Kanë filluar punimet për zgjerimin e Rrugës Nacionale N9, segmenti Dollc-Gjakovë, projekt ky i cili u konsiderua si më i madhi në historinë e këtij qyteti, raporton Ekonomia Online.  

Me rastin e përurimit, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, tha se ky regjion do përfitojë edhe në projekte të tjera ndër to përmendi edhe autostradën e Dukagjinit.

“Ne jemi qeveri e mbajtjes së vendimeve, qeveri që u ofron qytetarëve më të mirën. Ky investim i rëndësishëm jo vetëm për Gjakovën por për gjithë dukagjinin do ta bëjë këtë pjesë më atraktive sepse infrastruktura është thelb i zhvillimit ekonomik. Vlera e këtij projekti është 57 milionë euro dhe është investimi më i madh që ka ndodhë në histori”, tha Lekaj.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se një projekt i tillë nuk është projektuar në më shumë se 30 vite.

“Kjo rrugë e cila është afërsisht 5 km është segmenti i parë që është projekt dhe është buxhetuar. Është një prej projekteve më të mëdha që ka ndodhë në Gjakovë si investim i Qeverisë. Ka më shumë se 30 vite që një projekt kësisoj nuk ka ndodhë në komunën tonë”, tha Gjini, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse ishte paraparë të ishte prezent në këtë përurim, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, nuk ka qenë i pranishëm.

Të ngjashme