Fillon nënshkrimi i peticionit “Ta mbrojmë Erenikun”, kryetari nënshkruan i pari

Gjakovë | 04 Jan 2019 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Qytetarët e Komunës së Junikut kanë filluar të premten ta nënshkruajnë peticionin “Ta mbrojmë Erenikun”.

Kryetari i kësaj komune, Agron Kuçi, ka qenë personi i parë që ka nënshkruar këtë peticion.

Me anë të këtij peticioni qytetarët e Komunës së Junikut kanë mundësi të shprehin pakënaqësinë e tyre për marrjen e burimit të ujit të Erenikut të vogël nga Komuna e Gjakovës.

“Peticioni do të vazhdojë deri më 18 janar para objektit të Komunës së Junikut. Po ashtu të gjithë qytetarët kanë mundësi ta marrin formën e peticionit në shtëpi dhe ta nënshkruajnë familjarët e tyre. Peticioni mund të merret në Zyrën e Tatimit në Pronë në Komunën e Junikut”, është thënë në njoftimin për media të Komunës së Junikut.

Gjithashtu në këtë njoftim bëhet me dije se Komuna e Junikut nuk është kundër furnizimit me ujë për fshatrat e Gjakovës, por është kundër degradimit të vazhdueshëm që Komuna e Gjakovës dhe KRU Gjakova po i bëjnë mjedisit dhe tendencës së tyre që në kundërshtim me Ligjin për Ujërat të Kosovës dhe Konventave Ndërkombëtare për ujërat, t’ia ndërrojnë rrjedhën ujit dhe ta marrin atë kundërligjshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme