Fillon punimet konferenca për drejtësinë tranzicionale në Ballkan

Prishtinë | 20 Sht 2018 | 17:14 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Fakultetin Filozofik është hapur konferenca treditore me temën “Rishikimi i ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësia tranzicionale në Ballkan”.

Mehmet Mala nga Fakulteti Filozofik tha se të gjithë të pranishmit në këtë konferencë në një mënyrë po e jep kontributin e tyre shkencor për afrimin e vendeve të Ballkanit në mes vete, raporton Ekonomia Online.

“Ballkani dhe popujt e saj për një kohë të gjatë e kanë shikuar njëri-tjetrin përmes armës dhe tani ka ardhur koha ta shohin përmes pendës, mendoj se organizimi i konferencave të tilla është mundësia më e mirë që popujt e Ballkanit të afrohen me njëri-tjetrin dhe në të kaluarën ta trajtojnë me një mendim kritik dhe me jo paragjykime, ato paragjykime që kanë pasur t’i sqarojnë dhe në këtë kontekst mendoj se konferencat e tilla duhet t’i kontribuojnë pushteteve ekzekutive që ata të mbështeten në konkluzionet dhe vlerat që dalin nga konferencat e tilla”, tha Mala.

Mala tha se në Ballkan politika duhet mbështetur në analiza shkencore dhe në vlerësimet e mbështetura nga profesionistët, raporton EO.

Nehar Sharri, nga forumZFD Kosovë, tregoi për rolin e forumit ZFD e cila me seli është në Gjermani dhe se është e fokusuar në përmirësimin e raporteve fqinjësore në vendet e ndryshme.

Ai tregoi që kjo konferencë do të zgjasë deri këtë të shtunë në ora 16:00 dhe i ftoi të gjithë për pjesëmarrjen në këtë konferencë, sipas tij, të rëndësishme në mënyrë që secili të kontribuojë edhe me diskutime në panel.

Anja Becky nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë po mbështet këtë konferencë e cila i nevojitet Kosovës, pasi që edhe Kosova ka pak vite që ka dalë nga lufta dhe duhet të punojë më shumë në marrëdhënie të mira fqinjësore.

“Jam e kënaqur që po marr pjesë këtu në këtë konferencë që merret me të kaluarën dhe për qeverinë gjermane trajtimi i së kaluarës është prioritet i lartë, sepse shoqëritë paqësore në të tashmen janë të mundshme vetëm nëse e dimë të kaluarën tonë”, tha ajo.

“Gjermania tregon më së miri se si njohja e së kaluarës mund t’i ndihmojë shoqërisë ta trajtojnë atë që ka ndodhur, një shembull i mirë është tani marrëdhënia e mirë me Francën që kanë qenë armike për një kohë të gjatë dhe tani janë përkrah njëra-tjetrës”, shtoi Becky.

Ajo tha se rinia është ndikuesi më i mirë i cili mund të arrij të afrojë shtetet me njëri-tjetrin përmes shkëmbimeve në mes vete.

Ajo shtoi se Kosova ka mbaruar para 18 viteve luftën dhe se organizatat e ndryshme po përpiqen vazhdimisht në përmirësimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët.

“Qeveria gjermane e mbështet bashkëpunimin dhe financon organizata të ndryshme joqeveritare për temat e tilla”, tha ajo.

Kuno Schlaefli nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë tha se të gjithë duhet shikuar drejt së ardhmes dhe Kosova duhet të angazhohet më shumë në projekte të cilat e trajtojnë këtë temë.

“Njerëzit duhet të përpiqen të harrojnë atë që ka ndodhur në Kosovë, sepse duhet shikuar tashmë drejt së ardhmes, ata që duan ta kthejnë paqen janë të huajt, të cilët nuk i dinë prapavijat e luftës”, tha Schlaefli.

“Kosova po angazhohet në procesin e pajtimit dhe janë ndërmarrë projekte në të kaluarën, por nuk po përparojnë”, tha ai.

“Për të shkuar drejt së ardhmes, kjo konferencë është mundësi e mirë për shkëmbimin dhe mësimin e përvojave të vendeve dhe për këtë arsye edhe shteti i Zvicrës po e mbështet këtë konferencë”, tha ai.

Gudrun Steinacker, nënkryetare e Shoqatës së Evropës Juglindore tha se tema e cila po debatohet sot është e rëndësishme për shoqatën në të cilën punon. Ajo tha se shoqata ka mbështetur shumë organizata gjatë viteve të kaluara për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Të ngjashme