Fillon trajnimi fillestar për gjyqtarët e rinj

Prishtinë | 18 Shk 2021 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

23 gjyqtarë të rinj të dekretuar nga Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani me datë 25 janar, fillojnë trajnimin 12 mujor pranë kësaj Akademie.

Drejtori i Akademisë, Enver Fejzullahu si nikoqir i kësaj ceremonie, i uroj fillim të mbarë gjyqtarëve të rinj dhe njëkohësisht u uroj mirëseardhje edhe mysafirëve të kësaj ceremonie: kryetarëve të gjykatave, përfaqësuesve nga Ambasada e SHBA dhe Zyra e BE në Kosovë.

Gjyqtarëve të rinj iu drejtua fillimisht Kryetari i Gjykatës Supreme dhe njëkohësisht edhe Kryetar i Bordit të Akademisë, z. Enver Peci. Duke ndarë përvojën e hershme të tij si gjyqtar i ri, ai uroi gjyqtarët për emërimin dhe njëherit u bëri thirrje për përkushtim dhe profesionalizëm. “Si kryetar i Gjykatës Supreme dhe kryesues i Bordit të Akademisë së Drejtësisë, do të jem në dispozicion për çfarëdo paqartësie, dileme a pyetje që keni, jo vetëm gjatë periudhës trajnuese, por kurdo gjatë rrugëtimit tuaj.”-tha Kryetari Peci në fund të fjalimit të tij.

Ceremoninë e nderuan me pjesëmarrje edhe partnerët më të rëndësishëm të Akademisë së Drejtësisë, Ambasadori i SHBA z. Filip Kosnett dhe Shefi i Zyrës së BE z. Tomas Szyong, të cilët me mbështetjen e tyre të vazhdueshme sigurojnë ngritjen e Akademisë në një institucion profesional e kredibil.

Ambasadori i SHBA, në adresimin e tij dha një rezyme dhe krahasim edhe me sfidat me të cilat u përball edhe sistemi i drejtësisë në SHBA në këta muajt e fundit duke dhënë shembull se si një gjyqësor i pavarur mund ti përball ato për të siguruar një demokraci të qëndrueshme. “Ju, si gjykatës, keni fuqinë për të zbatuar dhe gjykuar, por kjo duhet të rrënjoset në prova dhe në vetë ligjin. Në punën tuaj, ju duhet të lini mënjanë gjithçka që mund të shpërqendrojë ose t’ua tërheqë vëmendjen nga ndjekja e drejtësisë dhe sigurimi i një sistemi të drejtë për popullin e Kosovës. Kjo nuk është detyrë e lehtë dhe kërkon guxim. Guxim për të lënë anash zhurmën politike.
Guxim për të vepruar bazuar në ligj, jo sipas bindjeve tuaja personale ose politike..”

Shefi i BE nga ana tjetër u shpreh se “ Akademia e Drejtësisë luan një rol kyç në reformimin e sistemit gjyqësor dhe në fuqizimin e Sundimit të ligjit në Kosovë. Zyra e BE në Kosovë punon së bashku me Akademinë për të ngritur kapacitetet e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës në nivelin e kolegëve të tyre Evropian. Arsimimi i duhur ligjor siguron që gjyqtarët gjatë punës së tyre të ofrojnë mbrojtjen e të drejtave fundamentale. Ky është prioritet i BE dhe prioritet i Kosovës në rrugën evropiane.”

Në ceremoni, të pranishmëve iu drejtua edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Skender Çoçaj. Z. Çoçaj vuri theksin në rolin e rëndësishëm që gjyqtarët kanë mbi vete dhe sfidat që ata i presin “ Rruga që sot po filloni mund të duket e vështirë por do të jetë nder për ju që përmes punës tuaj të shërbeni për gjyqësorin e vendit tonë, prandaj ju duhet te ndiheni krenar dhe te punoni me përkushtim dhe angazhim maksimal duke përmbushur synimet tona per një gjyqësorë te pavarur dhe llogaridhënës , te paanshëm dhe transparent , efikas dhe te besueshëm .”

Ne përmbyllje te ceremonisë, Drejtori Fejzullahu, duke falënderuar dhe mirënjohur ndihmën e ofruar nga qeveria e SHBA dhe nga Bashkimi Evropian, theksoi se Akademia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar dhe vazhdon te mbetet një institucion besnik ne ofrimin e trajnimeve profesionale duke kontribuar ne rritjen e profesionalizmit dhe integritetit ne drejtësi bërje, dhe ne përgjithësi forcimin e sundimit te ligjit , pra te jesh gjyqtar nuk është vetëm një pune , por është një ndere dhe privilegj. ,

Me fillimin e programit orientues , gjyqtarët e sapoemëruar me datën 22 shkurt fillojnë programin 12 mujor të trajnimit fillestar teorik dhe praktik.

Gjyqtarët janë caktuar të shërbejnë në gjykata të ndryshme në tërë Kosovën duke vijuar njëkohësisht edhe trajnimin e tyre në Akademinë e drejtësisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme