Fillon zbatimi i Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL) në gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës

Prishtinë | 21 Nën 2018 | 19:01 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Ambasada e Norvegjisë kanë organizuar ceremoninë e përbashkët të përurimit të vënies në zbatim të Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL) në gjykatat dhe prokuroritë e Republikës së Kosovës.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat, Idrizi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Per Strand Sjaastad, kanë nënshkruar memorandumin e përbashkët të bashkëpunimit për fazën konsoliduese të projektit për periudhën 2019-2021.

Idrizi, ka falënderuar Norvegjinë për mbështetjen dhe financimin e projektit të Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve, duke e vlerësuar tejet të rëndësishëm për ngritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe saktësisë së informacioneve të sistemit gjyqësor të Kosovës.

Gjithashtu, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Isufaj, ka falënderuar shtetin dhe popullin norvegjez në emër të sistemit prokurorial, duke shprehur konsideratën e tij të lartë për ndihmën e pakursyer dhe përkushtimin e madh për ngritjen e kapaciteteve të sistemit prokurorial në Kosovë, me ç’rast është themeluar dhe po jetësohet një sistem i shkëlqyeshëm i menaxhimit informativ të lëndëve.

Ambasadori norvegjez në Prishtinë, ka thënë se Mbretëria e Norvegjisë është e angazhuar të punojë me institucionet e drejtësisë së Kosovës drejt reformës, kurse synimi ynë i përbashkët është që të mbetemi në partneritet të fuqishëm, afatgjatë dhe të përkushtuar.

“Pronësia e fuqishme e Kosovës në këtë projekt është një pasqyrë e vërtetë, e cila ilustron se si Kosova mund dhe duhet të marrë përgjegjësinë për të çuar më tej përparimin dhe reformën e vet. Pra është diçka për t’u krenuar dhe një shembull i mirë për shërbimet e tjera publike në Kosovë” ka theksuar ai.

Projekti TIK-SMIL përmban koncepte funksionale të rishikimit të lëndëve në baza periodike, kritere dhe identifikime të çështjeve me interes, përfshirë regjistrat e lëndëve penale nëpër regjione, raportet e lëndëve të kryera dhe progresin e kryerjes së tyre, me ç’rast sistemi elektronik llogarit saktë peshën e lëndëve dhe bën shpërndarjen automatike të tyre, duke krijuar mundësi të mëdha të planifikimit dhe parakushte për zhvillimin e një sistemi standard.

Projekti SMIL është iniciuar në shkallë kombëtare dhe është financuar nga Qeveria e Norvegjisë për të përmirësuar efikasitetin, llogaridhënien dhe transparencën, kurse përgjegjës për zbatimin e tij janë Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe një delegacion i administratës gjyqësore të Norvegjisë, kryetarë gjykatash, kryeprokurorë dhe pjesëtarë të stafit administrativ të sistemit të drejtësisë.

Të ngjashme