Flasin Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, thonë se nuk folën në burg me Frashër Krasiniqin për VV-në

Prishtinë | 27 Shk 2018 | 17:51 | Nga

Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, kanë folur pas lirimit të tyre nga paraburgimi dhe vendimit të Gjykatës së Apelit për ta kthyer çështjen e tyre në rigjykim.

Ata besojnë se në fund të këtij rigjykimi do të shpallen të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Të akuzuarit Arifi e Egzon Haliti gjatë qëndrimit në paraburgim kanë qenë në të njëjtën qeli me të akuzuarin tjetër, Frashër Krasniqi.

Por, ata thanë se asnjëherë nuk kanë diskutuar me deputetin Krasniqi në lidhje me problemet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje, për shkak se qëndrimet e palëve në këtë rast tashmë kanë qenë të ditura.

Sipas tyre, diskutimet kanë qenë për rutinën ditore në burg, por jo për çështjet e Vetëvendosjes apo dorëheqjen e Frashër Krasniqit nga kryesia e partisë, për të cilën Atdhe Arifi thotë se e ka kuptuar vetëm nga lajmet të cilat i ka parë në televizorin që e kanë pasur në qeli.

Edhe Arifi edhe Haliti e kanë konfirmuar se Albin Kurti nuk i ka vizituar gjatë kohës sa kanë qenë në paraburgim, por ata e arsyetojnë këtë me faktin se vet Kurti ka pasur një proces gjyqësor dhe pas daljes nga paraburgimi pasi që, sipas tyre, atij i është dashur të merret me çështjet e brendshme të partisë.

Ndërsa për KALLXO.com ata kanë konfirmuar se në listën me emrat e atyre që këta kanë propozuar t’i takojnë nuk i kanë futur asnjëherë ish kryetarin Visar Ymeri dhe ish sekretarin Dardan Molliqaj, për shkak të dallimeve politike.

Trajtimi në burg, sipas tyre, ka qenë i mirë, mirëpo siç e thonë ata kushtet nuk kanë qenë aspak të mira.

Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë dha verdiktet për katër të dyshuarit për këtë rast. Atdhe Arifi, 25 vjeçar, u dënua me 6 vjet burg; deputeti Frashër Krasniqi, 29 vjeçar, u dënua me 8 vjet burg; Egzon Haliti, 24 vjeçar, u dënua me 5 vjet e gjysmë burg si dhe Adea Batusha, 21 vjeçare, u dënua me 2 vjet burg.

Këta të katër akuzoheshin se më 4 gusht të vitit të kaluar në bashkëkryerje kishin sulmuar Kuvendin e Kosovës, andaj mbi ta vihej në barrë vepra penale terrorizmit, vepër kjo e paraparë në nenin 136 të Kodit Penal të Kosovës, ndërsa në këtë rast e kualifikuar sipas paragrafit 1 të këtij neni, e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burg.

Intervista me aktivistët e Vetëvendosjes të akuzuar për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës, Atdhe Arifin dhe Egzon Halitin.

 

Të ngjashme