“Fletarrestimet janë kundër integritetit të Kosovës, jo kundër individëve”

Prishtinë | 10 Jan 2017 | 10:25 | Nga

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Martin Berishaj, ka thënë se fletarrestimet serbe janë kundër integritetit territorial të shtetit të Kosovës e jo kundër individëve.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë thirrje që çështja e ndalimit të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze në bazë të një fletarrestimi serb, mos të trajtohet si çështje individuale, por si ndërgjegjeje dhe ndërgjegjësim i Qeverisë së Kosovës ndaj shtetit të Kosovës.

Ai e ka hedhur poshtë mundësinë që autoritetet franceze ta ekstradojnë Haradinajn në Serbi. Sipas tij, akuzat që përmbajnë ndikime politike nuk mund të autorizojnë ekstradim.

Berishaj ka vlerësuar se Kosova duhet të lobojë dhe të bëjë marrëveshje xhentëlmene për ta zhvlerësuar memorandumin në mes të UNMIK-ut dhe Interpolit duke i hapur vetës rrugë që të bëhet pjesë e tij si dhe ta autorizojë Shqipërinë apo një shtet aleat të saj, si anëtare të Interpolit, që t’i shfuqizojë këto fletarrestime të lëshuara kundër shtetësisë së Kosovës.

Duke folur rreth kërkesës së opozitës për ndërprerjen e dialogut me Serbinë, Berishaj ka thënë se opozita këtë proces nuk e sheh si ndërprerje, por si ristrukturim përmbajtjesor të tij me format krejtësisht tjetër mbase, sipas tij, ky dialog që kemi sot nuk ka sjellë rezultate.

Të ngjashme