Florian Hahn: Nuk ka pse të refuzohet marrëveshja e ndryshimit të kufirit Kosovë-Serbi

Prishtinë | 27 Shk 2019 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundetagun gjerman, Florian Hahn, ka folur për gjendjen aktuale në Shqipëri si dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Hahn me këtë rast ka deklaruar:

“Nuk ka pse të refuzohet marrëveshja e ndryshimit të kufirit Kosovë-Serbi”.

Intervista e Florian Hahn lidhur me Dialogun Kosovë-Serbi për Deutsche Welle:

Ministrja e jashtme e Francës ka thënë këtë javë gjatë një takimi me presidentin serb Vuçiç se ende nuk janë pjekur kushtet në BE për raunde zgjerimi. A nuk është ky sërish një sinjal frenues për Ballkanin Perëndimor?

Nuk e di se çfarë thotë një ministre e jashtme në një bisedë, në të cilën unë nuk kam qenë i pranishëm. Vendimtar do të jetë raporti i progresit të Komisionit, i cili do të bëhet i njohur më 29 maj të këtij viti. Mbi bazën e këtij progresraporti do të marrim një vendim në Bundestag dhe natyrisht që do të marrim për bazë edhe zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor.

Tani, në Ballkanin Perëndimor po diskutohet edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. A mendoni se protestat, të cilat sigurisht po ndodhin edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, kanë ndikim mbi këtë proces?

Natyrisht, ne kemi një interes të madh që këtu të arrijmë përparime. Por shohim se ka aktorë, të cilët janë shumë të interesuar që këtu të mos ketë një rezultat pozitiv. Ne këtu dëshirojmë progres pozitiv.

Progres pozitiv do të thotë edhe ndryshimi i kufijve?

Me ndryshimin e kufijve duhet vepruar me shumë kujdes, por personalisht mendoj, dhe ky është mendimi im personal, se kur dy shtete sovrane bien dakord të ndryshojnë një kufi të përbashkët mes njëri-tjetrit dhe kur ato janë në gjendje të mbajnë përgjegjësinë për vendin e tyre , atëherë mendoj, se bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë.

Ju keni kështu një opinion të ndryshëm nga shumë kolegë të grupit tuaj parlamentar në Bundestag.

Ky është mendimi im personal. Më lejoni ta them përsëri: Nëse dy shtete sovrane bëjnë një ujdi me njëri-tjetrin dhe ata janë në gjendje të mbajnë secili përgjegjësi për vendin e vet, atëherë bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë marrëveshje.

Po efektet e të ashtuquajturës Kutia e Pandorës?

Ne duam, sigurisht, që kjo marrëveshje të ngërthehet me njohjen reciproke të sovranitetit. Nëse kjo është e lidhur me të dhe nëse vendet e tjera pajtohen me ndryshimin e kufirit, atëherë unë së paku mendoj se kjo marrëveshje nuk ka përse të refuzohet menjëhere.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme