FOL: Në Qeverinë Hoti 36% e ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes, në atë Kurti kishin 85%

Prishtinë | 08 Mar 2021 | 11:10 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja FOL ka mbajtur konferencë për media me ç’rast është bërë publikimi i raportit “Pasuria e (pa)ndarë – Posedimi i pasurisë nga zyrtaret politike dhe bashkëshortet e zyrtarëve politikë”, raporton Ekonomia Online.

Alba Jakupi, e cila bëri prezantimin e raportit ka thënë se nga të gjeturat në qeverinë Hoti 36% e ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes, ndërsa në Qeverinë Kurti 85% e ish-ministrave kanë pasur pasuri në emër të bashkëshortes.

“Deklarimet e pasurive konsiderohen të jene një mjet i fuqishëm drejt parandalimit të korrupsionit. Nga të gjeturit e raportit rezultojë se në qeverinë Hoti 36% e ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes”.

“Në Qeverinë Kurti 85% e ish ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes. Ndërsa në qeverinë Haradinaj 25% e ish-ministrave kanë pasur pasuri në emër të bashkëshortes”.

Edi Gusia, drejtoreshë e Agjencisë Për Barazi Gjinore në zyrën e kryeministrit, tha se edhe pse nuk udhëheq asnjë grua në nivelin komunal, 50% e kryetarëve të komunave kanë të regjistruar pasuri në emër të bashkëshorteve.

“Situata nuk është e kënaqshme nga të dhënat e tri mandateve dhe për mua është befasi niveli komunal ku nuk ka asnjë grua kryetare të komunës, gjysma e kryetarëve kanë të regjistruar pasuri në emër të bashkëshortes”.

“Gratë kanë të drejtën ligjore që pronën ta kenë për gjysmë me burrat e tyre. Deri në fund të 2020 kemi mbi 7 mijë qifte që e kanë regjistruar pronën në emër të dy bashkëshortëve”.

Drejtoresha në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, tha se në Kosovë nuk është e kënaqshme ndarja e trashëgimisë, dhe siç thotë ajo kjo tregon se ka ende mbetje të patriarkatit në familje dhe institucione, raporton EO.

“Numrat na tregojnë se kemi mbetje të patriarkatit si në familje dhe në institucione. Ndarja në Kosovë te trashëgimia nuk është e kënaqshme”.

“Gjyqtarët tanë dhe noterët e kanë një obligim që ta respektojnë ligjin për barazi gjinore dhe duke inkurajuar gratë që të marrin pasurinë”.

Komunikata e plotë:

Prishtinë, 8 mars 2021 – Lëvizja FOL me mbështetjen e Konrad Adenauer Stiftung (KAS) ka analizuar të dhënat nga deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publike sa i përket posedimit të pasurisë së grave zyrtare publike dhe të grave të zyrtarëve publik. Për të diskutuar për gjetjet e këtij raporti të ftuara ishin Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Zyra e Kryeministrit dhe Luljeta Demolli, Drejtore Ekzekutive, Qendra Kosovare për Studime Gjinore. Gjithashtu në linjë direkte ishte edhe Daniel Braun, drejtor i zyrës së KAS’it për Kosovë dhe Maqedoni.

Mexhide Demolli-Nimani- drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL tha qëllimi i këtij raporti ishte të reflektojë mbi kushtet e grave zyrtare publike si dhe gratë e zyrtarëve publikë në deklaratën e pasurisë në emër të të dy bashkëshortëve, por edhe pjesëmarrjen e gruas si pronare në trashëgiminë e dhuruar ose (individualisht) pronë e blerë. “Ky raport përfshinë deputetët e dy legjislaturave të fundit të Kuvendit, kabinetet qeveritare të qeverisë Haradinaj, Kurti dhe Hoti si dhe kryetarët e Komunave”, tha ajo.

Daniel Braun – drejtor i zyrës së KAS-it për Kosovë dhe Maqedoni tha se barazia ekonomike është shumë e rëndësishme për t’u arritur në mënyrë që gratë të jenë të barabarta pastaj në të gjitha sferat e tjera.

Alba Jakupi nga Lëvizja FOL prezantoi gjetjet e raportit ajo tha se: Në Qeverinë Hoti, vetëm 36% e ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes, ndërsa 18.5% e zëvendësministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes: Kjo qeveri ka pasur 3 ministre gra, dy nga te cilat kanë pasuri në emër të tyre ndërsa një nuk ka.

Në Qeverinë Kurti, 85% e ish ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes; 50% e zëvendësministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes. Në këtë qeveri, 50% e ministreve gra kanë pasuri të tyre, ndërsa vetëm 33% e zëvendësministreve kanë pasuri të tyren. Në Qeverinë Haradinaj, vetëm 25% e ish ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes; ndërsa 50% e ish zëvendësministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes. Kjo qeveri ka pasur vetëm një ministre grua, e cila ka pasur pasuri në emër të saj, tha Jakupi.

Edi Gusia, drejtoreshë e Agjencisë Për Barazi Gjinore në zyrën e kryeministrit, ka thënë se pavarësisht që Ligji për familjen e njeh pronën e krijuar pas martesës si pronë që ju përket të dy bashkëshorteve, fatkeqësisht ende nuk janë vetëdijësu që të regjistrojnë në emër të të dy bashkëshorëtve. “Më vjen mirë që 55% e kryetarëve të komunave kanë të regjistruar pasuri në emër të bashkëshorteve edhe pse asnjë grua nuk udhëheq në nivelin komunal”, tha Gusia.

Ndërkaq, Luljeta Demolli – drejtoreshë në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, ka thënë se në Kosovë nuk është e kënaqshme ndarja e trashëgimisë,dhe siç thotë ajo, kjo tregon se ka ende mbetje të patriarkatit në familje dhe institucione. “Ndarja e pasurisë është ndarje e pushtetit prandaj mund të shihet se në Kosovë ky pushtet nuk ju takon të dy gjinive njësoj”, tha ajo.

Të ngjashme